

Një ngjarje e dhunshme ka ndodhur në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, ku një i ri humbi jetën pas një konflikti brenda një lokali. Sipas burimeve paraprake, viktima është qëlluar me thikë gjatë sherrit.
Viktima është identifikuar si Egli Pashollari, 31 vjeç. Autoritetet bëjnë me dije se po hetojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit ose autorëve të përfshirë.
Policia tha zyrtarisht se rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi Egli Pashollari rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
"Autori i dyshuar i ngjarjes te rruga Kongresi i Lushnjës është Gazment Buçpepaj. Ngjarja po hetohet si një konflikt çasti mes autorit të dyshuar dhe viktimës", thanë për noa.al burime nga policia.
Ndërkaq, grupi hetimor po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të vrasjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.
Më herët, në vitin 2017, në moshën 23-vjeçare, Egli Pashollari ishte arrestuar nga policia e Tiranës pasi u kap me lëndë narkotike.



Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






