Transmetuar më 07-12-2025, 12:19

Një fëmijë 2-vjeçar shqiptar humbi jetën ditën e djeshme, 6 dhjetor, në Zakynthos të Greqisë, pasi u sulmua nga një qen i racës pitubll në shtëpinë e tij.

Në lidhje me incidentin, nuk ka informacione që të sugjerojnë se kafsha kishte pasur më parë sjellje agresive. Aktualisht, pitbull-i është vendosur në një strehë me urdhër të prokurorit, sipas ligjit.

“Nga nesër, do të dërgohet te një veteriner për ta monitoruar”, tha në një intervistë për ERT, kryetari i Zakynthos, George Stasinopoulos. Gjatë javës së ardhshme, një komision prej pesë anëtarësh nga Patra do të vendosë nëse kafsha duhet të ekzekutohet apo do të qëndrojë në një strehë për mbrojtje.

“Askush nuk di ende se si ndodhi kjo dhe si e gjeti fëmija vdekjen”, shtoi kryetari i Zakynthos.

Prindërit e djalit 2-vjeçar, babai shqiptar dhe nëna britanike, u liruan pa kushte, me urdhër të prokurorit, pasi ishte raportuar se fëmija ndodhej vetëm në shtëpi, së bashku me pitbull-in, kur kafsha nisi ta kafshonte me dhunë, kryesisht në trup dhe në fyt.

Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes në fshatin Agios Leon të Zakynthos. Në momentin e sulmit, babai u mundua me çdo mënyrë të shpëtonte fëmijën nga goja e kafshës, por nuk pati sukses.

“Më thirri vajza ime e vogël dhe unë vrapova menjëherë, kjo është gjithçka që mbaj mend. Djali im iku,” tha i tronditur babai i vogëlushit për televizionin Alpha. “Qeni ishte i pastrehë, e kishin hedhur dhe e mora unë sepse fshati thoshte se do të hante kafshët. E mora për t’i dhënë një vend ku të qëndronte, dhe ky më mori djalin tim. Djali më pa, më buzëqeshi dhe mbylli sytë,” shtoi babai i të voglit.

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të mjekëve në repartin e urgjencës, fëmija mbërriti në spital në gjendje shumë të rëndë dhe, për fat të keq, nuk mundi të mbijetonte nga plagët e rënda.

“Ne nuk kemi parë kurrë një pamje të tillë”, thanë infermierët dhe mjekët që u morën me rastin.

Sipas raportimeve nga mediat greke, prindërit e djalit ishin shumë dashamirës ndaj kafshëve dhe shpesh mbledhnin kafshë endacake në zonë dhe kujdeseshin për to. Pitbull-i ishte adoptuar disa javë më parë, ndërkohë që deri atëherë jetonte si qen endacak në fshat.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit