

Sarandë, 8 Nëntor 2025 – 10:55
Autoritetet kanë nisur hetimet ndaj dy shtetasve me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe krimeve të rënda, pas dyshimeve se kanë përfituar pasuri të paligjshme nga veprimtari kriminale. Në total, janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro.
Hetimet po kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Sipas burimeve zyrtare, në rastin e parë është përfshirë shtetasi K. Q., alias J. H., 43 vjeç, banues në Sarandë, me precedentë në fushën e narkotikëve. Për këtë shtetas, Gjykata ka vendosur sekuestro preventive mbi:
Një hotel 6-katësh me 37 dhoma dhe garazh 440 m², në Sarandë;
Një hotel 4-katësh me 15 dhoma dhe lokal, në Sarandë.
Ndërsa në rastin e dytë, nën hetim është shtetasi A. K., 53 vjeç, banues në Sarandë, me precedentë penalë në fushën e trafiqeve dhe krimeve ndaj personit. Pasuritë e sekuestruara ndaj tij përfshijnë:
Në Sarandë: lokal shërbimi 103 m² dhe pasuri 123.1 m²;
Në Tiranë: apartament 78.4 m², parcelë ndërtimi 60.12 m², dyqan 103 m² dhe arë 800 m²;
Në Rradhimë, Vlorë: pasuri 36 m², 485 m² dhe 619 m²;
Në Memaliaj, Tepelenë: pasuri 386 m², truall 650 m² dhe një pasuri tjetër.
Gjithashtu janë sekuestruar një mjet lundrues, katër automjete dhe 12 llogari bankare të dyshuara se lidhen me aktivitetet e tyre të paligjshme.
Prokuroria e Sarandës po vijon hetimet për identifikimin e pasurive të tjera që mund të jenë regjistruar në emër të personave të lidhur me të dyshuarit, me qëllim goditjen e plotë të pasurive me burim kriminal.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






