

SPAK: Balluku kontrolloi çdo hap të tenderëve për tunelin e Llogarasë – komunikimet sekrete me vartësin e saj dhe kontaktet me kompanitë turke
Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, akuzohet nga SPAK se ka qenë personi që ka kontrolluar dhe orientuar çdo fazë të dy tenderëve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, nga përgatitja e dokumentacionit deri te lidhja e kontratës me kompanitë turke fituese.
Sipas dosjes së SPAK, Balluku, edhe pse formalisht kishte deleguar përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në praktikë ka ndjekur personalisht procedurën e prokurimit publik, që nga faza përgatitore, gjatë zhvillimit të procedurës, vlerësimit të ofertave, e deri në firmosjen e kontratës me operatorin ekonomik fitues – bashkimin e kompanive turke “INTEKAR – ASL”. “Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake rezulton se Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ndonëse kishte deleguar formalisht përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik në çdo fazë,” thuhet në dosjen e SPAK.
Tenderi i parë – anulimi me urdhër të Ballukut
Prokuroria e Posaçme argumenton se Balluku e kishte të përcaktuar fituesin e tenderit për tunelin e Llogarasë – konsorciumin turk “INTEKAR – ASL” – një projekt me vlerë 170 milionë euro.
Fillimisht, tenderi u shpall në dhjetor 2020, ku kompania shqiptare “Gjoka Construction” ofroi 140 milionë euro nga fondi limit 190 milionë, por nuk plotësonte kriteret teknike dhe të eksperiencës. Kriteret u modifikuan për të lehtësuar pjesëmarrjen:
eksperienca u ul nga 5 vite në 3 vite,
kushti për 70% të fondit limit u reduktua në 50%,
dhe fitimi minimal prej 50 milionë euro u zbrit në 20 milionë euro.
Megjithatë, edhe këto ndryshime nuk mjaftuan dhe Balluku urdhëroi anulimin e tenderit.

Bisedë e datës 18 mars 2021:
Belinda Balluku: “Mendoj ta anulojmë, skualifikoji të gjithë.”
Evis Berberi: “Jam mëse dakord.”
Belinda Balluku: “Më jep afatet nëse e shpallim nesër… Mbylleni sot me urgjencë.”
Evis Berberi: “E mbyllëm, sot e ke të mbaruar.”
Qëllimi, sipas SPAK, ishte rishpallja e menjëhershme e tenderit për të shmangur çdo ankimim dhe përgatitjen e dokumenteve të reja.
Tenderi i dytë dhe përfshirja e turqve
Në maj 2021, ministrja komunikon me vartësin e saj për nisjen e procedurës së re.
Bisedë e datës 23 maj 2021:
Belinda Balluku: “Kur do ta hapësh Llogaranë se plasa?”
Evis Berberi: “Kur të miratojë Reida formalin e DST të reja në përputhje me ndryshimet e VKM.”
Pesë ditë më vonë, më 28 maj 2021, Balluku i dërgon Berberit një mesazh me tone personale:
“Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë po të jap diçka nga e cila varet e ardhmja ime, e jotja dhe e shumë të tjerëve që ndodhen përqark nesh.”
Në qershor 2021 nis procedura për tenderin e ri, ku hyn në lojë kompania turke INTERKAR, e cila nuk kishte aplikuar në tenderin e parë.
Më 19 gusht 2021, sipas SPAK, Balluku merr një mesazh në anglisht nga përfaqësuesit turq dhe ia përcjell menjëherë Berberit, duke e informuar se “janë drejt përfundimit të dokumenteve”.
Një ditë më pas, punonjësit e Ministrisë takojnë përfaqësuesit turq me urdhër të Ballukut:
Aida Gurabardhi: “Visi, hajde t’i takojmë bashkë, se kështu tha shefja.”
SPAK ka vërtetuar përmes sistemit TIMS se përfaqësuesit e kompanisë turke kanë qenë në Tiranë gjatë atyre ditëve vere.
Komunikimet sekrete dhe takimet private
Hetuesit theksojnë se komunikimet midis Ballukut dhe Berberit janë zhvilluar përmes aplikacionit Signal, i cili nuk mund të përgjohet, por Berberi i kishte ruajtur mesazhet.
Në një komunikim të 29 gushtit 2021, ministrja e fton Berberin në shtëpi:
Belinda Balluku: “Po futem në garazh, hajde lart, më mirë shkalla H.”
Ndërkohë, nga bisedat e 7 shtatorit 2021, duket se Balluku drejtonte ritmin e procedurës:
Belinda Balluku: “Kur mbyllet vlerësimi?”
Evis Berberi: “Po them ta lëmë mbi 10 ditë, të duket që po vlerësojmë. Nëse duhet shpejt, e bëjmë.”
Belinda Balluku: “Çfarë ndodh me afatet po ta mbyllim në datë 16?”
Evis Berberi: “Asgjë, e kemi më afër kontratën. Jemi ok me 16. 9 ditë vlerësim mjaftueshëm.”
Në 1 tetor 2021, konsorciumi turk INTERKAR – ASL shpallet fitues, por SPAK argumenton se nuk plotësoheshin 6 kritere kryesore, përfshirë mospasjen e dokumentacionit të plotë, mungesën e përvojës dhe kontratave të punës.
Takime me turqit dhe menaxhimi politik
Balluku vijon kontaktet me Berberin edhe pas shpalljes së fituesve, për të organizuar takime me biznesmenët turq përpara nënshkrimit të kontratës dhe për të menaxhuar reagimet politike pas denoncimeve nga opozita.
Deputeti demokrat Arbi Agalliu kishte akuzuar në Kuvend ministren për lidhje direkte me turqit që fituan tenderin. Pas disa muajsh, Balluku i shkruan Berberit:
“Do të të marr për një takim me Arbër Agalliun, deputet i PD që ka nja dy pyetje për dy toka që ka në Vlorë, një tek bypass dhe një në hyrje të autostradës. Qëndrim shumë i dashur, shumë i mirë, se është djalë qytetar.”
Më 25 tetor 2021, me firmë të Ballukut, Berberi – tashmë drejtor i ARRSH – ngarkohet të lidhë kontratën me kompanitë turke.
Në 2 dhe 6 nëntor 2021, ai i dërgon ministres mesazhe për organizimin e takimeve me përfaqësuesit e firmave:
Evis Berberi: “Turqit vijnë të hënën në 8 të mëngjesit dhe ikin në 18:00. Kontratën e firmosim në ARRSH? Në çfarë ore do që të vijë plaku i ASL të të takojë?”
Pas kontratës: nënkontraktimi me Gjoka Construction
Pas firmosjes së kontratës 170 milionë euroshe, konsorciumi turk nënkontraktoi pikërisht “Gjoka Construction”, kompaninë që kishte aplikuar në tenderin e parë të anuluar.
Në praktikë, Gjoka ndërtoi të gjithë tunelin e Llogarasë, ndërsa kompanitë turke — sipas të dhënave që SPAK ka mbledhur në 4 vite hetim — kanë deklaruar vetëm 24 milionë euro të ardhura nga ky projekt.
—
Përfundimet paraprake të SPAK
Nga analiza e komunikimeve, dokumenteve dhe veprimeve zyrtare, SPAK konkludon se Belinda Balluku ka pasur rol qendror dhe vendimtar në orientimin e procedurës së prokurimit, në zgjedhjen e fituesit dhe në koordinimin e takimeve e komunikimeve me përfaqësuesit e kompanive turke.
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar përfshirjen e plotë të personave të tjerë të përmendur në dosje dhe rrjedhën e pagesave të kontratës 170 milionë euroshe të tunelit të Llogarasë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






