

Lisbonë, 4 nëntor 2025 – Cristiano Ronaldo, një nga ikonat më të mëdha të futbollit botëror, ka folur hapur për momentin më të vështirë që e pret çdo kampion: tërheqjen nga futbolli. Në një intervistë të posaçme me Piers Morgan, ylli portugez pranoi se dita e lamtumirës nga fusha do të jetë tepër emocionale.
“Tërheqja? Do të jetë e rëndë, sigurisht. A do të jetë e vështirë? Po. Me shumë mundësi do të qaj,” u shpreh Ronaldo. “Por unë jam një person i hapur. Po e përgatis të ardhmen time që kur isha 25, 26, 27 vjeç. Besoj se do të jem në gjendje ta përballoj këtë presion.”
Sulmuesi i Al Nassr ende nuk ka vendosur datën e largimit nga futbolli, por ai ka qartësuar se tashmë ka planifikuar rrugëtimin e tij të ri. “Asgjë nuk krahasohet me adrenalinën që ndjejmë në futboll kur shënojmë një gol. Por gjithçka ka një fillim dhe një fund. Do të kem më shumë kohë për veten, për familjen, për të rritur fëmijët e mi.”
Ronaldo komentoi edhe situatën aktuale të ish-klubit të tij, Manchester United, duke shprehur dëshpërimin për krizën e gjatë në të cilën ndodhen “djajtë e kuq”.
“Jam i trishtuar për klubin,” tha CR7. “Është një ndër më të rëndësishmit në botë. United ka nevojë të ndërtohet me njerëz inteligjentë, ashtu si dikur me brezin e lojtarëve si Beckham, Keane, Neville e të tjerë.”
Deklaratat e Ronaldos rikthejnë në qendër të vëmendjes një pyetje që po pret me ankth bota e futbollit: kur do të vijë momenti i fundit i tij në fushë? Për momentin, kampioni vijon të shkëlqejë, por përgatitjet për kapitullin tjetër tashmë kanë filluar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






