

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se tuneli i Llogarasë është një aferë korruptive e Kryeministrit Rama. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se Rama ka përcaktuar anullimin e tenderit të parë, shpalljen e tenderit të dytë dhe shpalljen fitues të kompanisë turke, me një shumë 50 milionë më shtrenjtë se sa kompania që do të ndërtonte tunelin e Llogarasë.
Lideri i opozitës tha se kjo u ka kushtuar shqiptarëve 90 milionë euro më shumë se sa ç’ishte parashikuar.
"Kumbullat dhe dardhat i ha Edi Rama, të tjerëve u hedh bishtat nga mbrapa. Tuneli i Llogarasë është kryekëput një nga aktet madhore korruptive direkt të Edi Ramës. Lubi Balluku është thjesht masha e tij për realizimin e kësaj afere, që u ka kushtuar qytetarëve shqiptarë jo 50, por 90 milionë euro më shumë se sa ç’ishte parashikuar. Është Rama dhe vetëm Edi Rama ai që ka përcaktuar anulimin e tenderit të parë, shpalljen e tenderit të dytë dhe shpalljen fitues të kompanisë turke me një shumë 50 milionë më shtrenjtë se sa kompania që do të ndërtonte tunelin e Llogarasë. Kompani, e cila me përcaktim ligjor, nuk mund të ishte nënkontraktor sepse e kishin skontuar. E kishin skontuar nga tenderi. Edhe njëherë aty ku ishim. Facebook-u i fshirë i Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, nuk kanë më as në Instagramet e tyre, fotot krenare me kompaninë turke me 3 qershor 2021.
Por ju lutem lexojeni: Ditë plot produktivitet gjatë vizitës në Turqi shkruan Sulltanesha. Takime me kompanitë e ekselencës në fushën e teknologjisë dhe infrastrukturës për të implementuar pjesë të rëndësishme të programit zhvillimor. Ja pra ku janë në Ankara, në pazare, por që kurrë nuk mund t’i bënte vetë Lubia, ato i bënte vetëm Sulltani, ky hajdut i shpifur, më i keqi, më i madhi në historinë e kombit shqiptar, që përpiqet tani nëpërmjet altoparlantëve të tij të justifikohet se 50 milionë euro të qytetarëve shqiptarë i bëri kurban si detyrim ndaj presidentit Erdogan për apartamentet që ndërtoi në Laç dhe që duhej shprehur mirënjohja. E kuptoni ju se ky është hajdut ndërkombëtar?" tha Berisha
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






