Transmetuar më 03-11-2025, 13:27

Tiranë- Qeveria ka miratuar shpërndarjen e bonusit të fundvitit për pensionistët, i cili do të jepet gjatë muajit dhjetor. Lajmin e bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të buxhetit në Komisionin e Ligjeve.

Sipas ministrit, pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë bonus, ndërsa ata që kanë pension mbi 20 mijë lekë do të përfitojnë 10 mijë lekë.

“Kemi alokuar në skemën e pensioneve rreth 7.6 miliardë lekë. Nga këto, 1.7 miliardë shtohen në llogarinë speciale të pensioneve dhe 5.9 miliardë lekë dedikohen për bonusin e fundvitit për rreth 750 mijë pensionistë”, deklaroi Malaj.

Sipas tij, kjo shtesë financiare buron nga rritja e të ardhurave të kontributeve dhe e çon fondin total të bonusit të fundvitit në 9.7 miliardë lekë.

Ky vendim pritet të lehtësojë financiarisht moshën e tretë në prag të festave të fundvitit dhe të nxisë konsumin në treg gjatë dhjetorit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit