Transmetuar më 02-11-2025, 21:36

Tiranë | 2 nëntor 2025

Ka nisur zyrtarisht muaji i Kombëtares, ndërsa Shqipëria hyn në një periudhë vendimtare për ëndrrën më të madhe të futbollit shqiptar: kualifikimin në Kupën e Botës. Kuqezinjtë do të zhvillojnë dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve, me shpresën për të siguruar biletën për në “play-off”.

Më 13 nëntor, Shqipëria përballet me Andorrën në një sfidë ku fitorja është e panegociueshme. Në të njëjtën ditë, syte do të jenë edhe te Londra, ku për një skenar ideal Anglia duhet të mposhtë Serbinë. Një kombinim që mund të vulosë kualifikimin e Shqipërisë në zonën e “play-off”-it dhe ta mbajë të gjallë ëndrrën botërore.

Lista e grumbullimit nga trajneri Silvinjo pritet të publikohet më 7 nëntor, ndërsa kuqezinjtë nisin përgatitjet tri ditë më pas në Barcelonë. Pas duelit me Andorrën, ekipi do të kthehet në Tiranë për ndeshjen e madhe ndaj Anglisë.

Përveç Kombëtares A, në fushë do të zbresin edhe ekipet zinxhir të Shqipërisë.

Shqipëria U21, e drejtuar nga Alban Bushi, do të zhvillojë dy miqësore: më 13 nëntor ndaj Moldavisë në transfertë dhe më 17 nëntor në “Elbasan Arena” kundër Ukrainës. Shpresat janë tashmë të kualifikuara për Europianin 2027, duke shfrytëzuar këto sfida për testime dhe konsolidim.

Shqipëria U19 nis rrugën drejt Europianit në Tiranë. Nën drejtimin e Julian Ahmatajt, kuqezinjtë përballen me Ukrainën më 12 nëntor në “Niko Dovana”, më pas me Sllovakinë më 15 nëntor dhe mbyllin ndaj Malit të Zi më 18 nëntor. Organizuese e grupit, Shqipëria kërkon kalimin në turin “Elite Round”.

Shqipëria U17 e Fatjon Tafajt luan në grup me Kroacinë, Holandën dhe Kazakistanin, me ndeshjet që zhvillohen në datat 11, 14 dhe 17 nëntor të këtij muaji.

Në arenën e futbollit të femrave, Shqipëria e trajneres Grima do të luajë dy miqësore prestigjioze ndaj Turqisë, më 28 nëntor në Stamboll dhe më 1 dhjetor në rikthimin në fushë.

Ndërkohë, Shqipëria U19 vajza do të presë në vend turneun kualifikues ndaj Lihtenshteinit, Luksemburgut dhe Sllovakisë, duke synuar një arritje historike.

Me të gjitha ekipet kombëtare në fushë dhe me Kombëtaren A në qendër të vëmendjes, nëntori shndërrohet në muajin e së vërtetës për futbollin shqiptar. Tifozët kuqezinj shpresojnë se ky do të jetë kapitulli që do të shkruajë historinë e kualifikimit drejt Botërorit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit