

TIRANË- Aktivistë shqiptarë dhe mbi 100 ndërkombëtarë do të organizojnë ditën e nesërme një tubim në Tiranë dhe Lezhë. Kjo protestë do të mbahet lidhur me dyvjetorin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për ndërtimin e kampeve për refugjatët.
Bëhet me dije se aktivistët do të mblidhen në orën 09:00 tek Sheshi Skënderbej dhe do të marshojnë drejt Kryeministrisë dhe Ambasadës italiane dhe asaj të BE-së. Më pas ata do të udhëtojnë drejt kampit të Gjadrit ku do të vijojnë protestën. Sakaq, të dielën, më 2 nëntor protesta do të vijojë në Fakultetin e Drejtësisë nga ora 09:30- 14:45.
Itinerari:
09:00- 09:30: Mbledhja, Sheshi Skënderbej
10:00 -11:30: Marshim drejt Kryeministrisë, Ambasadës Italiane dhe BE
11:30: Sheshi Nënë Tereza
11:30 -13:00: Udhëtim drejt Kampit të Gjadrit
14:15: Protesta në Kampin e Gjadrit
Në vitin 2023, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama arritën një marrëveshje për ndërtimin e këtyre qendrave, me qëllim që Italia të menaxhojë fluksin e emigrantëve jashtë territorit të saj, duke shfrytëzuar Shqipërinë si një qendër pritjeje. Kjo marrëveshje ngjalli kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e shohin këtë projekt si një përpjekje për të zhvendosur problemin e emigrantëve në vende më të dobëta në aspektin ligjor dhe ekonomik.
Më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj të cilët pretendojnë se secili shtet duhet të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta. Ndër të tjera, për pjesën e listës së vendeve të sigurta, Gjykata e Kasacionit tha se gjyqtarët e çështjeve të secilit rast nuk zëvendësojnë vlerësimin, i cili në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e Ministrit të Jashtëm dhe Ministrave të tjerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






