

Tiranë, 2 korrik 2025 – Rreth 52% e pensionistëve shqiptarë morën pension të pjesshëm gjatë vitit 2024, duke shënuar për herë të parë shumicën e përfituesve të kësaj kategorie. Të dhënat zyrtare tregojnë se kjo përqindje është rritur nga 49.7% në vitin 2023, duke reflektuar vështirësitë që qytetarët kanë për të përmbushur kriteret për pension të plotë.
Sipas statistikave, numri total i pensioneve të pleqërisë në vitin 2024 arriti në 607,567, me një rritje vjetore prej 2.9%, ndërsa pensionet e pjesshme u rritën me 7.8%, duke shkuar në 316,781 përfitues. Shkaktarët kryesorë të kësaj rritjeje janë emigracioni, punësimi informal dhe ndërprerjet në periudhat e sigurimit.
Ligji i reformuar i pensioneve, që hyri në fuqi në vitin 2015, kërkon rritje graduale të viteve të sigurimit nga 35 në 40 deri në vitin 2032. Në vitin 2024, për të përfituar pension të plotë duheshin mbi 38 vite sigurim, ndërsa mesatarja e viteve të sigurimit për pensionistët e rinj ishte vetëm 26.7.
Punësimi informal, ku ende një e treta e të punësuarve nuk regjistrohen ose nuk paguajnë sigurime shoqërore, dhe emigracioni, sidomos i të rinjve, kontribuojnë ndjeshëm në këtë fenomen. Periudhat e paplota të sigurimit i detyrojnë shumë qytetarë të marrin pensione më të ulëta, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës së tyre.
Pensionet e pjesshme janë më të ulëta dhe shpesh nuk mbulojnë nevojat bazë të pensionistëve, si ushqimi, strehimi apo shërbimet shëndetësore, duke i ekspozuar ata ndaj varfërisë dhe pasigurisë sociale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd