

Vlorë, 9 qershor 2025 – Një murale prekëse është realizuar në kujtim të Luan Llanajt, 19 vjeç, dhe Tomor Mbratit, 17 vjeç, të cilët humbën tragjikisht jetën më 1 qershor në një aksident me motor në qytetin e Vlorës.
Muralja është pikturuar në vendin ku ndodhi aksidenti fatal, nga shokët, miqtë dhe bashkëmoshatarët e tyre, përfshirë edhe nxënës të shkollës Industriale "Pavarësia", ku dy të rinjtë studionin. Me bojëra dhe mes emocioneve të forta, të afërmit kanë vendosur të krijojnë një përmendore vizuale për të kujtuar kujtimin e tyre.
Dy të rinjtë po ktheheshin në shtëpi me motor, kur goditën një shtyllë ndriçimi. Luan Llanaj humbi jetën në vend, ndërsa Tomor Mbrati u dërgua fillimisht në spitalin e Vlorës dhe më pas në Tiranë, por nuk mundi të mbijetonte.
Në vendin e ngjarjes ende janë të dukshme shenjat e aksidentit, ndërsa qytetarë të ndryshëm lënë lule dhe ndezin qirinj në kujtim të tyre. Dy viktimat ishin jo vetëm nxënës të mirë, por edhe punëtorë të përkushtuar – motori fatal ishte blerë me rrogën e parë nga puna në një servis.
Familjarët, shokët dhe e gjithë komuniteti janë të tronditur nga humbja e parakohshme e dy jetëve të reja, të cilët përveç ëndrrave kishin edhe barrën për të ndihmuar familjet e tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






