

Pas një hetimi të gjatë dyvjeçar, Policia e Korçës ka zbardhur vjedhjen e ndodhur më 4 dhjetor 2023 në fshatin Goskovë, ku nga banesa e shtetasit A. S. u vodhën 600 mijë lekë të rinj (rreth 6 milionë lekë të vjetra).
Operacioni policor i koduar “Goskova” çoi në arrestimin e njërit prej autorëve dhe në ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj një tjetri, i cili ndodhet aktualisht në burg për një vepër tjetër penale. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë edhe një 16-vjeçar, nip i pronarit të banesës, i dyshuar si bashkëpunëtor.
Sipas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me përdorimin e metodave speciale të hetimit, është dokumentuar me prova ligjore se tre shtetas kanë bashkëpunuar për të realizuar vjedhjen. Autorët dyshohet se kanë detyruar djalin e pronarit të banesës që t’u siguronte çelësin e kasafortës ku ndodheshin paratë.
Në kuadër të hetimit:
U arrestua shtetasi S. T., 24 vjeç, banues në Korçë.
U ekzekutua masa e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin A. Ç., 21 vjeç, banues në Goskovë, aktualisht i dënuar për një tjetër vepër penale.
Për 16-vjeçarin e dyshuar si bashkëpunëtor, është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Të gjithë autorët përballen me akuzat për “vjedhje me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim” dhe “shtytje të të miturve në krim”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






