Transmetuar më 17-04-2025, 10:46

Në Durrës është konstatuar një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje, pas një kontrolli të befasishëm në ambientet e një lokali në lagjen nr. 11 të qytetit. Operacioni u zhvillua në kuadër të aksionit të koduar “Shadow”, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, raporton noa.al.

Në vendin e ngjarjes, policia gjeti një armë zjarri tip pistoletë, së bashku me një krehër të mbushur me fishekë. Arma u sekuestrua menjëherë si provë materiale.

Për këtë rast u arrestua në flagrancë Dritan Agasi, 43 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se ishte në posedim të armës pa leje.

Së bashku me të u ndaluan edhe Artur Karamuça, 47 vjeç, dhe Florenc Berberi, 43 vjeç, gjithashtu banues në Durrës, për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Të dy këta burra kishin dijeni për ekzistencën e armës, por nuk kishin njoftuar autoritetet.

Të tre të ndaluarit janë shoqëruar për në ambientet e Policisë së Durrësit, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për hetime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit