Transmetuar më 15-04-2025, 21:12

Rama nga Kamza: Pasaporta europiane, simbol i një epoke të re për të rinjtë shqiptarë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim entuziast me të rinjtë e Kamzës, duke e shndërruar fjalimin e tij në një thirrje për përfshirje, vetëdije politike dhe pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 11 majit.

Në një ambient simbolik pranë liqenit të Paskuqanit, Kryeministri Edi Rama u kthye në kujtime përpara dy vitesh, kur – sapo dalë nga spitali – vizitoi Kamzën dhe u zotua për ndryshim. Sot, tha ai, rezultatet janë të prekshme. “Në çdo drejtim ku të kthesh kokën, Kamza nuk është më ajo që ishte. Dhe kjo, sepse vota juaj nuk është një fanellë tifozi, por një instrument për të ndryshuar realitetin.”

Në thelb të fjalimit ishte ideja e qytetarit europian – jo si koncept abstrakt, por si status konkret që shqiptarët mund të fitojnë përmes anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai e cilësoi pasaportën europiane si më shumë se një dokument udhëtimi: “Është statusi i ri që ju vendos në të njëjtin nivel me bashkëmoshatarët tuaj në Francë, Gjermani apo Suedi.”

Rama u ndal edhe te ndryshimi rrënjësor në aksesin që shqiptarët do të kenë në tregun e punës, arsimin dhe shërbimet e BE-së: “Sot, ju jeni të huaj në universitetet e BE-së. Duhet të paguani më shumë, të kaloni filtrat e kuotave dhe shpesh nuk keni të drejtë pune. Me pasaportën europiane, kjo ndryshon përjetësisht.”

Ai u përpoq të ngjallte reflektim politik tek të rinjtë: “Mos e shihni votën si një muhabet pazari. Vota është fuqia e vetme që njeriu i lirë ka për të vendosur kush duhet të rrijë dhe kush duhet të ikë.”

Rama theksoi përparimet e prekshme në Kamzë, duke përmendur rritjen e mbulimit me ujë të pijshëm nga 30% në 95%, ndërtimin e palestrave moderne dhe transformimin e shkollave në institucione me standarde europiane. “Kamza që dikur ishte një simbol i harresës, sot është histori suksesi që kërkon të thellohet,” tha ai.

Nga mitingu i zhvilluar. Fotot: noa.al

Fjalimi kulmoi me një thirrje drejtuar të rinjve për të marrë përgjegjësinë që u takon: “Nëse doni të jetoni si qytetarë të barabartë të Europës, atëherë 11 maji është çasti. Jo vetëm për të votuar vetë, por për të bindur dhe një tjetër. Të bëheni shembull. Mos lejoni që zëri i një pakice që thërret ‘Rama ik’ nga kënetat e zhgënjimit, të mbysë shumicën që kërkon të ecë përpara.”

Në fund, Rama nënvizoi se Bashkimi Europian nuk është thjesht një destinacion politik, por një mundësi e jashtëzakonshme për progres individual dhe kombëtar. “Me BE-në, Shqipëria nuk është më vetëm një ëndërr. Ajo bëhet realitet për çdo të ri që ka vizion dhe vullnet.

Këtë herë qameti duhet të jetë edhe më i madh, këtë herë ne duhet të nxjerrim nga lumi i 11 majit, një rezultat që është më i miri i të gjithë rezultateve të Partisë Socialiste dhe kemi fituar 9 herë, kjo duhet të jetë fitorja e 10-të me notën 10-të.” përfundoi ai. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit