

Carlo Ancelotti ka dhënë një intervistë për televizionin zviceran RSI, ku ka folur edhe për refuzimin e tij ndaj kombëtares italiane: "I thashë jo kombëtares italiane sepse nuk kisha dëshirë… Më pëlqen shumë të jem çdo ditë në fushë, duke përgatitur stërvitjet. Kombëtarja më dukej si një punë ‘part-time’, që do të më bënte të humbisja pak nga pasioni. Vetëm për këtë arsye e refuzova Italinë".
Trajneri i Real Madridit u ndal gjithashtu edhe te një nga sulmuesit më të fortë që ka trajnuar (siç e quan ai), Filippo Inzaghi, me të cilin përjetoi vitet e bukura te Milani: "Ishte një talent i madh, sepse dinte të lexonte situatat dhe të çlirohej nga mbulimi si askush tjetër. Ka shënuar, besoj, më shumë se 300 gola, por mendoj se ato të shënuar me më shumë se një prekje nuk e kalojnë 10 përqindëshin".
Për rikthimin te Real Madridi: "A u befasova kur më thirrën për së dyti? Në fakt, isha unë që i telefonova. Një vit më parë i kisha kontaktuar për të parë nëse kishin lojtarë të disponueshëm për ne, tek Evertoni morëm James Rodriguez. Vitin pasues e dija që po kërkonin trajner dhe, kur fola me drejtorin, i thashë se duhet të merrnin një të mirë".
Mes rrëfimeve që ndau, foli edhe për të kaluarën e tij tek Evertoni, megjithëse kishte pasion për skuadrën rivale të qytetit: "Ëndrra ime ishte të trajnoja Liverpool-in, por më pas u gjenda tek Everton dhe përjetova rivalitetin e tyre.
Tani jam absolutisht tifoz i Evertonit. Më pëlqeu shumë ambienti, sepse ka një pasion të jashtëzakonshëm për ngjyrat e klubit. Atje vëren edhe vuajtjen që kanë tifozët përballë Liverpool-it, që prej shumë vitesh dhe ende sot mbizotëron në Premier League".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd