

Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Policisë së Shtetit për arrestimin e një 38-vjeçari në Lushnjë, i cili akuzohet për blerje votash në favor të PD-së. Në deklaratën e saj, PD e cilëson këtë akuzë si një sajesë të turpshme dhe një përpjekje për manipulimin e opinionit publik.
Sipas PD-së, ky veprim synon të dëmtojë imazhin e partisë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe përbën një tentativë të qartë për të devijuar vëmendjen nga problemet reale në vend.
Reagimi i PD: Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje.
Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin.
Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD.
Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në mitingjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd