Transmetuar më 14-04-2025, 08:38

Sot pritet të hapen një tjetër grup kapitujsh të negociatave me BE. Lajmin e bën të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi, ndërsa ka ndarë edhe një video nga takimi i djeshëm me emigrantët në Milano.

“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e madhe, e falenderimin e përulur, për mikpritjen e djeshme të shqiptarëve të Italisë në Milano, si edhe me lajmin e bukur të hapjes sot të një tjetër grupi kapitujsh të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.

Sot më 14 prill pritet të mbahet tryeza e radhës BE-Shqipëri në Luksemburg, ku do të çelet grup kapitulli për “Tregun e Brendshëm”, që do ta çojë në 3 grupkapitujt me të cilin Tirana zyrtare nis bisedimet me Brukselin. Hapja zyrtarisht e këtij klasteri, i cili përfshin 9 kapituj, prek fusha themelore për integrimin ekonomik dhe tregun e lirë, përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, kapitalit, pronësinë intelektuale, shërbimet financiare, mbrojtjen e konsumatorëve etj.

Në tetor të 2024-ës, gjatë kohës që Hungaria mbante presidencën e Bashkimit Europian, vendi ynë hapi zyrtarisht grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishëm, atë të kapitujve themelorë që prekin drejtësinë, administratën dhe shtetin e së drejtës. Ndërsa pak javë më pas, më 17 dhjetor u çel grupkapitulli i marrëdhënieve me jashtë, me bisedimet për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Hapja e grupkapitullit për “Tregun e Brendshëm” konsiderohet i rëndësishëm pasi ndihmon Shqipërinë të afrohet me standardet e BE-së për ekonominë e tregut dhe të drejtat e konsumatorëve. Pas kësaj konferencë tyë katërt ndërqeveritare Shqipëria është në pritje të një date tjetër për hapjen e një tjetër klasteri, ajo për konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirësë, që do ta çonte në 4 numrin e grupkapitujve nga 6 gjithsej në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit