Transmetuar më 13-03-2025, 09:59

Nga PSG në Arabinë Saudite, me një lamtumirë të dhimbshme për shumë tifozë dhe pasionantë të futbollit, që do të kishin dashur ta shihnin Neymar Jr përsëri në skenat më të mëdha të Europës. Pastaj, pas një lëndimi të rëndë në gju dhe 18 muajsh të dështuar tek Al Hilal, ku kaloi shumicën e kohës në infermieri, ylli brazilian dëgjoi thirrjen e shtëpisë dhe u kthye në Brazil, për t’u bashkuar me Santosin, falë një huazimi të thjeshtë gjatë merkatos dimërore.

Që kur u kthye të luajë aty, ku gjithmonë ka ndjerë mbështetje, vlerësim dhe respekt, Neymar po e gjen gradualisht veten dhe formën më të mirë të mundshme, me objektivin për të rifituar kombëtaren zraziliane (ai është thirrur për sfidat e marsit) dhe paraqitur sa më mirë për Botërorin 2026.

Presidenti i Santos, Marcelo Teixeira, është i pari që buzëqesh. Në një intervistë për “Marca”, ai ka folur për momentin që po kalon O’Ney: "Kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë besimi. Ishte momenti kur një lojtar kishte nevojë për besueshmëri.

Neymar është i lumtur. Ai është i gëzuar, i përqendruar për të qenë një element i rëndësishëm te Santosi. E shoh shumë mirë, mjaft të përqendruar në punën e tij. Këtu e dimë si funksionon kalendari brazilian, luan të mërkurën dhe të dielën".

Sa i përket të ardhmes së Neymar, numri një i klubit “carioca” shpjegoi: "Ai është shumë i lidhur me projektin dhe lojtarët, të cilët e shohin si një pikë referimi. Ka shumë besim nga të tjerët ndaj tij. Më e vështira është bërë tashmë, ta kemi këtu. Do të shohim përgjigjen teknike dhe rezultatet e klubit. Po punojmë për sponsorizuesit…

Ai ka treguar që nuk shqetësohet për aspektin financiar. E gjithë komiteti teknik e ka mbështetur në ndeshjet e tij, të gjithë mbështesin Santosin, i gjithë vendi. Kjo do të ndikojë mundësinë që të mbetet këtu në të ardhmen e afërt. Kombëtarja e ka thirrur".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit