

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, ranë sot dakord për masa për zbulimin dhe hetimin e shpejtë të krimeve zgjedhore.
Hetimi i krimeve zgjedhore do të konsiderohet si prioritet institucional dhe do të jetë objekt i punës së strukturave të posaçme hetimore që do të krijohen me prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore, të cilat do të mbështeten gjithashtu me burimet e nevojshme njerëzore dhe teknike nga Policia e Shtetit për përdorimin e metodave speciale të hetimit.
Proda dhe Çela arritën marrëveshjen pasi kryepolici shkoi sot dhe zhvilloi një takim kokë më kokë në Prokurorinë e Përgjithshme, raporton noa.al .
Objekt i takimit ishte bashkëpunimi dhe koordinimi mes Policisë së Shtetit dhe prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, në kuadër të hetimit të krimeve zgjedhore.
Nga drejtuesit e të dy institucioneve, u ra dakord për një sërë masash administrative që synojnë zbulimin dhe hetimin e shpejtë dhe efikas të krimeve zgjedhore, përmes një angazhimi tërësor të strukturave përkatëse, që do i përgjigjet nevojave specifike që lidhen me periudhën zgjedhore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Prokurori i Përgjithshëm, thanë se inkurajojnë të gjithë qytetarët dhe çdo subjekt tjetër, që të denoncojnë në kohë krimet zgjedhore dhe të bashkëpunojnë me organet ligjzbatuese për hetimin e plotë të tyre. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd