

Rikthimi i Neymar në futbollin brazilian po krijon një entuziazëm të madh, por ndikimi i tij shkon përtej aspektit sportiv. Sipas asaj që raporton “UOL Esporte”, ylli brazilian i ka kërkuar Santosit të bëjë një përpjekje të madhe për të ndërtuar skuadër konkurruese, duke sugjeruar disa emra të mëdhenj të futbollit botëror.
Bëhet fjalë për Paul Pogba (pa kontratë), Marcelo (pa kontratë), Thiago Silva (Fluminense), Sergio Ramos (pa kontratë), Paulo Henrique Ganso (Fluminense), Leandro Paredes (Roma) dhe Arthur Melo (Juventus).
Neymar do të ishte i gatshëm të merrte pjesë aktivisht në negociata për t’i bindur këto lojtarë që t’i bashkohen projektit ambicioz të "Dream Team Peixe", një iniciativë që synon ta rikthejë Santosin në majat e futbollit brazilian dhe atij të Amerikës së Jugut.
Faktori financiar është gjithashtu i rëndësishëm. Santosi është i vetëdijshëm për potencialin e madh të marketingut dhe ndikimin që mund të sjellë prania e Neymar në ekip. Siç ka deklaruar Fábio Wolff, drejtor i “Wolff Sports”, Neymar është një "makinë parash", ndaj prezenca e tij në fushë, e kombinuar me një formë të mirë fizike, mund të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për klubin, si brenda, ashtu edhe jashtë fushe.
Nëse lojtarët e kërkuar nga Neymar do të bashkoheshin me Santosin, do të ishte një ndryshim historik për futbollin brazilian, duke treguar qartë ambiciet e klubit. Nëse projekti bëhet realitet, "Dream Team Peixe" mund të shndërrohet në një nga skuadrat më konkurruese të kontinentit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd