

Sot, më 5 shkurt, Cristiano Ronaldo mbush 40 vjeç, por vazhdon të luajë, të shënojë dhe të thyejë rekorde. Me dopietën e tij në fitoren 4-0 të Al-Nassr ndaj Al Wasl, në AFC Champions League, CR7 ka arritur 923 gola në karrierë, duke treguar edhe një herë marrëdhënien e tij të veçantë me golin dhe talentin e pathyeshëm.
Dje, Ronaldo u shpreh për “La Sexta”: "Jam golashënuesi më i mirë, më i ploti. A jam më i miri në histori? Besoj se po, nuk kam parë asnjë më të mirë se unë. Zgjohem ende me dëshirën për t’u stërvitur dhe luajtur. Ndoshta pak më pak se në të kaluarën, por ky është pasioni im, më pëlqen ajo që bëj".
Mbi zgjedhjen e tij për të luajtur në Arabinë Saudite: "Më pëlqejnë sfidat e mëdha, pastaj unë e lashë Madeira në moshën 12-vjeçare. Kam parë shumë vende, kultura…, kështu që nuk ishte e vështirë për mua. Më duhet vetëm të kem pranë familjen time, fëmijët dhe Georgina.
Kur vendosa të transferohesha në Arabinë Saudite, nuk e mendoja se liga këtu do të rritej kaq shpejt, por e dija që për një ose dy vite do të ishte në krye, siç është tani".
Mbi rivalitetin me Leo Messin: "Rivaliteti me Messin ishte më shumë një garë e shëndetshme, si ajo mes Prost dhe Senna. Për 15 vite ndamë skenën e çmimeve dhe kemi pasur gjithmonë marrëdhënie të mira. Ai më ka trajtuar mirë, ka mbrojtur klubin dhe kombëtaren e tij, ashtu siç bëra unë me të miat. Në një farë mënyre, ushqyem njëri-tjetrin".
Dashuria për Real Madridin: "Për mua është klubi më i madh në botë. Më pëlqente të luaja në ‘Camp Nou’, më vërshëllenin dhe fyenin shumë në atë stadium, por më argëtonte më shumë të shënoja atje sesa në ‘Bernabéu’. Kjo është e vërteta".
Për Mbappé te Real Madridi: "Ai nuk di të luajë si qendërsulmues, nuk është pozicioni i tij. Po të isha ende te Real Madridi, do t’i mësoja të luante si numër 9".
Për Vinicius dhe “Topin e Artë”: "Ky çmim nuk ka besueshmëri. E meritonte në vitin 2024, sepse shënoi shumë gola dhe fitoi Champions League".
Për Bellingham: "Ka ende shumë për të bërë, më kujton Zidane. Është vetëm 21 vjeç, e ka gjithë të ardhmen përpara. Ky djalë do të bëhet superyll".
Për të ardhmen dhe “pensionimin” e tij: "Mund të ndalem qysh sot dhe nuk do të pendohesha. Gjithsesi, do të ishte humbje për futbollin, sepse po luaj ende shumë mirë. Do t’i thoja vetes: Mund të vazhdosh të bëj diferencën edhe për një ose dy vite të tjera".
Për Carlo Ancelotti: "Kam mësuar nga të gjithë trajnerët e mi. Carlo është një person spektakolar, një zotëri i futbollit. Kemi fituar shumë bashkë, ai e përballon presionin e Real Madridit në mënyrë të përkryer".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd