Transmetuar më 05-02-2025, 10:35

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj një komentuesi në rubrikën e tij “Sy m’sy” në Facebook, duke e ironizuar atë për kritikën mbi mungesën e ujit të pijshëm në disa zona të vendit.

Komentuesi i kishte shkruar kryeministrit se “nuk ka ujë të pijshëm, njerëzit janë akoma me bidona me karroca si në Somali”, duke shprehur shqetësimin për problemet e furnizimit me ujë në Shqipëri.

Rama iu përgjigj menjëherë, duke theksuar se Shqipëria është vlerësuar nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, është kthyer në një atraksion turistik dhe se në vend do të mbahet një samit i NATO-s. Për t’i kundërvënë kritikës së komentuesit, kryeministri përdori një shprehje ironike, duke i sugjeruar të “mos shohë gjërat me gjyzlykët e bretkosave të kënetës”.

“Dje në prezantimin e raportit të monitorimit për rajonin tonë, SIGMA e ka cilësuar Shqipërinë lider rajonal për menaxhimin e financave publike, prokurimet publike, ecurinë e administratës publike qeverisjen digjitale e kështu me radhë. SIGMA është një organizatë prestigjioze që operon për llogari të BE dhe monitorimi i saj bazohet në leximin skrupuloz të të dhënave të shifrave dhe të fakteve. Mirëpo ky përfundim shumë inkurajues dhe vlerësim i lartë për ecurinë dhe pozicionin aktual të vendit tonë e ka shqetësuar Albanin siç ka shqetësuar dhe shumë të tjerë që fatkeqësisht i mbajnë veshët nga ‘’këneta e kuak-kuakve’’. Po mirë mo, Alban nëqoftëse Shqipëria është Somali siç thua ti, si ka mundësi që vetëm rritet numri i turistëve që e vizitojnë Shqipërinë çdo vit; 1 milionë italianë vjet o Alban, apo dava italianesh thuaj.

Po gjermanët, po francezët, po holandezët, po suedezët apo populli dele i Europës? Po 5 mijë e kusur japonezë o Alban. Po ata? Se s’mund të themi që edhe ata janë shqiptarë më pasaportë japoneze se këtyre të tjerëve megjithëse po shkojnë 12 milionë ia keni gjetur, që janë të gjithë shqiptarë që kthehen për të sjellë bukë për familjet e tyre që ‘’po vdesin rrugëve” këtu në Shqipëri. E mirë turistët po si u çmendën dhe këto organizatat ndërkombëtare, si u çmend dhe BE, KE që vlerëson lart Shqipërinë? Si u çmendën të gjithë këta, Këshilli Evropian që vijnë bëjnë samit në Shqipëri, NATO që do të vijë të bëjë samit në Shqipëri? Se di! Nuk e di si i jep drejtim ti kësaj po unë për veten time kam një sugjerim: ktheja kurrizin ‘’kënetës’’, mos i dëgjo më kuak-kuaktë. Bashkohu me ne. Shiko realitetin me sytë e tu dhe jo me gjyzlykët e ‘’bretkosave të asaj kënete’’, shijojë një fitore në 11 maj se edhe kjo shija e hidhur e shumë humbjeve njëra pas tjetrës, krijon një zymti të madhe dhe krijon një ndjesi sikur gjithçka është e errët por në fakt as ti dhe askush tjetër që në mënyrë të sinqertë përpiqet të gjejë një alternativë pasi me të drejtën e vet, nuk do qeverinë, nuk ka asnjë faj pse ç’ka vjen nga ‘’këneta’’ është tërësisht pa lidhje me realitetin e përditshëm. Bashkohu me ne, Alban dhe do të shohësh që realiteti është shumë më ndryshe dhe që as turistët nuk vijnë kot këtu, as ata që i shkruajnë këto raporte nuk flasin kot dhe mbi të gjitha as faktet konkrete të rritjes së përgjithshme të Shqipërisë dhe pozicionimi ynë krejt i ri në Evropë, nuk janë iluzion por janë një realitet i ri shqiptar, Shqipëria po bëhet, Alban”, shkruan Rama në përgjigjen e tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit