

E marta ishte dita e prezantimit për sulmuesin e ri të Milanit, Santiago Gimenez, i cili u transferua përfundimisht nga Feyenoordi për 32 milionë euro, plus 3 milionë bonuse. Lojtari, i lindur në Buenos Aires dhe me pasaportë të dyfishtë italiane dhe meksikane, ka firmosur kontratë deri më 30 qershor 2029, me një pagë mbi 2 milionë euro në sezon.
Ai do të mbajë fanellën me numrin 7. Të dielën e ndoqi derbin nga tribuna e "San Siros" dhe tani është gati për debutimin në çerekfinalen e Kupës së Italisë, të mërkurën në mbrëmje kundër Romës. Në konferencën për shtyp, meksikani u shpreh si më poshtë:
Na trego emocionet e tua për këtë kalim te Milani…
Një nga ëndrrat e mia më të mëdha ishte të luaja në Europë dhe po e realizoj atë. Dua të lë gjurmë në këtë ekip kaq të rëndësishëm.
Si ndihesh? A je i gatshëm për ndeshjen kundër Romës?
Kam pasur një dëmtim të vogël në ndeshjen e fundit, por tani jam plotësisht gati.
Si shkuan negociatat me Milanin?
Edhe pse më ndiqnin që nga merkatoja e kaluar, unë gjithmonë jam përqendruar te loja. Njerëzit afër meje bënë të mundur këtë transferim. Unë jam një njeri me besim, i lë të gjitha në duart e Zotit.
Çfarë përshtypjeje ke krijuar për ekipin kuqezi? Sa gola do të shënosh?
Premtoj se do të jap gjithçka në fushë. Nuk besoj tek individualizmi, kemi një ekip konkurrues, mund të fitojmë shumë. Nga ana personale, do të jap maksimumin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd