Në prag të ndeshjes kundër Salford, e vlefshme për raundin e tretë të “FA Cup”, Manchester City ka një mundësi për të vazhduar garën për një trofe prestigjioz këtë sezon. Pavarësisht një fillimi zhgënjyes, forma e ekipit është përmirësuar me dy fitoret e fundit kundër Leicester dhe West Ham.
Gjatë konferencës për shtyp, trajneri Pep Guardiola foli për gjendjen fizike të Erling Haaland, duke u ndalur te disa vështirësi që ai ka pasur në vazhdimësinë e performancave: "Erling, para se të vinte këtu, kishte probleme në Dortmund tri ose katër vite më parë. Që kur ka ardhur te ne, përveç një periudhe të shkurtër, ka qenë i qëndrueshëm dhe në formë.
Vitin e tripletës ishte i jashtëzakonshëm. Sezonin e kaluar shënoi shumë gola, por pati disa vështirësi. Këtë sezon e shoh jashtëzakonisht të përqendruar. Kur ke si objektiv të qëndrosh në formë, gjithmonë je në formë.
Fizioterapistët tanë kujdesen shumë për të. Ai kalon shumë kohë këtu dhe për këtë arsye është gjithmonë i gatshëm. Duke pasur parasysh numrin e situatave ku duhet ta përdorim më shumë seç presim, ai po e menaxhon ngarkesën mjaft mirë".
Guardiola gjithashtu bëri përditësime mbi gjendjen e disa lojtarëve të tjerë kryesorë: “Ruben Dias ndjehet më mirë, por nuk është ende gati. Nuk e di kur do të jetë sërish në fushë. Ederson është mirë, ndërsa John Stones jo. Oscar Bobb po bën stërvitje të pjesshme me ekipin dhe ky është një lajm i mirë për ne. Kishte një frakturë kocke, por tani është rikuperuar dhe e shoh në gjendje të mirë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd