I freskët nga disfata e dhimbshme në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë kundër Milanit, Juventusi “lëpin plagët” dhe zhytet sërish në kampionatin ku është ende i pamposhtur. “Mezi presim të dalim në fushë, duam të fitojmë.
Në 26 ndeshje kemi humbur vetëm 2 herë, skuadra është e re, përveç disa barazimeve dhe disa lëndimeve që nuk kanë qenë kurrë alibi, – shpjegoi Thiago Motta në konferencën për shtyp para derbit me Torinon. – Nevoja jonë është të angazhohemi në çdo seancë stërvitore për të arritur fitoren”.
Mbi skuadrën në dispozicion: “Bremer, Vlahovic, Conceicao, Milik, Cabal dhe Locatelli nuk do të jenë të disponueshëm për nesër”.
Çfarë ndeshjeje pret nesër?
Si gjithmonë, e komplikuar, si ndeshja e parë. Do të jetë një ndeshje e veçantë për ne dhe tifozët. Mezi presim të futemi në fushë, duam të fitojmë. Në 26 ndeshje kemi humbur vetëm 2 herë, skuadra është e re, përveç disa barazimeve dhe disa dëmtimeve që nuk kanë qenë kurrë alibi.
Me lamtumirën e Danilos kush do të jetë kapiten?
Pa Locatelli, nesër do të shihni se kush do të jetë kapiteni.
Si mund ta shpjegojmë këtë mungesë të vazhdimësisë së rezultateve?
Është nevoja jonë për të siguruar vazhdimësi në fitore, angazhimi ynë i përditshëm për t’i arritur këto rezultate.
Na thoni diçka rreth Douglas Luiz…
Ai është lojtar i nivelit të lartë dhe mund të luajë në tri pozicione; di të shënojë dhe japë si duhet pasimin e fundit. Po kështu, mund të bëjë më mirë në fazën mbrojtëse. Mund të luajë në të tria pozicionet ku e përdorim ne.
Pse e keni humbur qëndrueshmërinë mbrojtëse?
Ne pësojmë gola, sepse gabojmë, por kjo është edhe falë kundërshtarëve. Duhet të bëjmë më pak gabime, të krijojmë më shumë dhe të finalizojmë më mirë për të provuar të fitojmë.
A e prisnit polemikën për frazën tuaj mbi obsesionin për të fituar?
Nevoja jonë është të fitojmë dhe e dimë mirë. Unë thashë se e zgjodha këtë profesion për të fituar dhe këtu nuk ka polemika. Për të arritur fitoren sot, nevojitet shumë punë për të bërë. Kjo është ajo që ne të gjithë duam.
Situata me Danilo…
Unë jam përgjigjur tashmë për Danilon dhe kam qenë shumë i qartë.
A po mendoni për merkaton?
Vëmendja jonë është vetëm te ndeshja e nesërme. Duam të bëjmë paraqitje të shkëlqyer, sepse është një ndeshje që ne dhe tifozët tanë e ndjejmë shumë. Është një ndeshje që duam ta fitojmë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd