Në një intervistë për edicionin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi i Milanit, Rafael Leao, foli për ëndrrën e fitimit të “Topit të Artë”: "Sigurisht e mendoj, por për mua gjëja më e rëndësishme është të fitoj një trofe të madh me skuadrën.
‘Topi i Artë’ është pasojë e rezultateve me klubin tënd. Për këtë arsye, ambicia ime e parë është të fitoj Champions League. Dhe për ta arritur këtë, e di që duhet të bëj diferencën në çdo ndeshje, të jem i rëndësishëm për Milanin. Kujt do t’ia kisha dhënë ‘Topin e Artë’ për vitin që kaloi? Viniciusit”.
Sulmuesi portugez pret ngjitje në klasifikimin e Serie A dhe kapjen e zonës së Champions-it: “Kur u rikthyem në Milano, pas fitimit të Superkupës së Italisë, trajneri na foli dhe na tha t’i mbajmë këmbët në tokë. Mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, por unë personalisht kam ndier një energji të re me Conceiçao në stol.
Ai ka treguar tashmë se di të bëjë gjëra të mëdha. Gjatë karrierës ka fituar shumë trofe, e ka bërë këtë edhe me ne. Ka sjellë përvojën e tij dhe tani duam të vazhdojmë të fitojmë, ashtu siç duhet të bëhet te Milani. Jemi rikthyer të punojmë me kokën ulur, sepse duhet të luftojmë për të arritur ndër katër vendet e para”.
Mbi ngjyrat kuqezi, që përfaqëson, Leao nënvizoi: “Çdo herë që hyj në ‘San Siro’ me këtë fanellë, është një gëzim më vete. Mendoj vetëm të fitoj diçka të madhe, ta shtyj skuadrën përpara dhe të përjetoj momente të tjera për t’u mbajtur mend. Kur ia del, të lind dëshira për të fituar përsëri, të gjithë së bashku dhe sa më shpejt të jetë e mundur".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd