

TIRANË- Është firmosur ekstradimi i i Igor Kokunov dhe sipas informacioneve është nisur menjëherë drejt Rusisë. Ekstradimi i tij u firmos pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e pezulloi si vendim.
Në një reagim për mediat, avokati i shtetasit rus Igor Kokunov, tha se klienti i tij është duke u ekstraduar drejt Rusisë me avion, në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses.
"Klienti im është duke u ekstraduar në këto momente drejt Rusisë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese," u shpreh avokati Isuf Shehu për Syri Tv.
Igor Kokunov u arrestua në pikën kufitare të Muriqanit më 28 gusht të vitit 2023, pasi ishte shpallur nga Interpoli Ndërkombëtar Rusi dhe i dënuar me 15 vite burg. Ai akuzohet për veprën penale të marrjes së detyrave në hierarkinë e lartë të strukturave kriminale në Rusi. Ndërkohë, rusi kërkoi azil politik në Shqipëri, me pretendimin se në Rusi i rrezikohet jeta.
Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu si Vasya Bandit, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga arresti shtëpiak në pritje të gjykimit, njoftonin gazetat ruse. Kokunov akuzohet për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm. Vasya Bandit u arrestua nga autoritetet ruse në qershor të vitit 2020, ai gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vitesh.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd
