Transmetuar më 26-06-2024, 14:40

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e 26 qershorit rritjen e pagave për punonjësit në sektorin publik.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Financave, Ervin Mete, i cili pati një komunikim për mediat, pas mbledhjes së Qeverisë.

Ministri informoi se me miratimin e vendimeve të sotme avancohet faza e dytë e politikës së rritjes së pagave, e cila ka nisur në vitin 2023, fazë nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore.

Ai po ashtu theksoi faktin se me zbatimin e kësaj politike, paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë Lekë.

Më poshtë është lista e sektorëve që përfitojnë nga rritja e pagave dhe sa shkon ajo:

Ushtria

-Për ushtarin bazë, me rritjen e sotme paga e tij shkon në 71 mijë Lekë

-Rreshteri, 80 mijë Lekë

-Majori, 107 mijë Lekë

-Koloneli, 158 mijë e 500 Lekë

-Gjenerali, 190 mijë Lekë.

-Të gjitha këtyre pagave u shtohet një trajtim ushqimor, prej 16 mijë Lekësh

Zjarrfikësit

-Asistent Zjarri (grada më e ulët) 60 mijë Lekë

-Zjarrfikës 65 mijë Lekë

-Kryezjarrfikës 70 mijë Lekë

-Kryeinspektor zjarrfikës 85 mijë Lekë

-Inspektor zjarrfikës 75 mijë Lekë

-Komisar zjarrfikës 105 mijë Lekë

-Drejtues zjarrfikës 155 mijë Lekë

-Drejtues i parë zjarrfikës 140 mijë Lekë

-Drejtues i lartë zjarrfikës 160 mijë Lekë

Sistemi arsimor

-Paga e mësuesit në arsimin e mesëm të lartë që ka kualifikimin dhe që ka vjetërsi mbi 15 vite pune eksperiencë do shkojë 98 500 Lekë.

-Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75 800 në 96 000 Lekë.

-Mësuesit e ciklit fillor me mbi 15 vite eksperiencë nga 72 mijë Lekë paga shkon në 95 200 Lekë.

-Punonjësit e shërbimit psiko-social, paga mesatare shkon 910 Euro.

-Për oficerët e sigurisë 800 Euro në muaj si pagë mesatare.

Sistemi shëndetësor

-Të gjithë mjekëve të përgjithshëm u rritet paga me 20 mijë Lekë mbi pagën ekzistuese.

-Të gjithë infermierëve u rritet paga me 15 mijë Lekë mbi pagën ekzistuese.

-Përfitojnë edhe punonjësit e administratës së sistemit shëndetësor, 15 deri në 20 përqind të pagës së tyre aktuale.

Sektori i burgjeve

-Rritja e pagave varion nga 13 deri në 27 përqind.

-Rritja shkon nga 6 mijë Lekë, deri në 33 mijë e 600 Lekë e përshkallëzuar sipas gradave.

-Aspirantët, pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve dhe do paguhen me 80 për qind të pagave të inspektorit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit