Transmetuar më 22-06-2024, 20:30

Një zjarr masiv ka përfshirë një ndërtesë 26-katëshe në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, duke shkaktuar kështu një situatë të madhe kaotike në zonë.

Ngjarja thuhet se ka ndodhur pasditen e së shtunës, në ndërtesën e quajtur "Rixos Khan Shatyr Residences". Sipas informacioneve, ekipi i policisë lokale së bashku me zjarrfikësit dhe autoritetet e tjera kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin.

Sipas njoftimeve paraprake, fillimisht mori flakë veshja e objektit dhe më pas u përhap më tej në ndërtesë. Zyrtarja e ministrisë, Dinara Nurgalieva është shprehur se 17 njësi të zjarrfikësve me pajisje speciale dhe rreth 80 zjarrfikës kanë punuar për shuarjen e zjarrit.

Nurgalieva tha se ndërtesa është pjesërisht administrative dhe pjesërisht rezidenciale dhe se nuk ka pasur viktima aktuale nga zjarri, të cilin ajo e përshkroi si të lokalizuar. Zjarri është përhapur në 180 metra katrorë, tha ajo, dhe tetë persona janë evakuuar nga ndërtesa.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd