Transmetuar më 22-06-2024, 14:51

Të paktën 42 persona humbën jetën nga sulmet izraelite në qytetin e Gazës, njoftuan autoritetet lokale që drejtohen nga grupi militant Hamas. Nga sulmi që ndodhi pranë kampit Al-Shati, një nga tetë kampet e refugjatëve në Rripin e Gazës, humbën jetën 24 persona, sipas një zyrtari lokal që foli për agjencinë e lajmeve Reuters. 18 palestinezë të tjerë u vranë në një sulm në lagjen Al-Tuffah.

Nëpërmjet një deklarate ushtria izraelite tha se avionët e tyre luftarakë goditën dy objekte të infrastrukturës ushtarake të Hamasit.

Lufta filloi pasi Hamasi, një grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian, filloi një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë peng 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.

Përgjigja ushtarake e Izraelit në Gazë ka shkatërruar një pjesë të madhe të territorit, ka vrarë mbi 37,551 persona dhe ka plagosur mbi 85,911të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të drejtuar nga Hamasi dhe e cila nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve./ VOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd