Transmetuar më 22-06-2024, 11:19

Një person humbi jetën të premten pasi disa zjarre pyjore goditën majën jugore të Greqisë dhe detyruan evakuime të shumta, njoftoi brigada e zjarrfikësve.

55-vjeçari mori plage të rënda në rajonin e Ilia në gadishullin e Peloponezit dhe vdiq në spital, tha një zyrtar i shërbimit zjarrfikës. Rreth 120 zjarrfikës, u dërguan për të shuar zjarret pyjore në rajonin e Akaisë, të cilat u përhapën me shpejtësi në zonën e afërt të Ilia duke dale jashtë kontrollit.

“Të gjitha forcat po bëjnë një përpjekje mbinjerëzore për t’i shuar ato,” mes erërave deri në 120 km ne ore tha zëdhënësi i brigadës greke të zjarrfikësve Vasilis Vathrakogiannis, pasi rreth 45 zjarre shpërthyen në vend brenda pak orëve.

Televizionet greke shfaqen pamjet e një banese e cila ishte shkrumbuar. Forcat e mbrojtjes civile kanë qenë në gatishmëri pasi rreziku i zjarreve mbetet i lartë për të shtunën, tha Vathrakogiannis në një konferencë televizive. Një zjarr pyjor që kërcënoi për një kohë të shkurtër shtëpitë në një qytet bregdetar afër Athinës u vu nen kontroll më herët të premten, tha brigada e zjarrfikësve.

Zjarret e fuqishme janë të zakonshme në vendin fqinj, por ato janë bërë më shkatërruese pasi sezonet verore janë bërë më të nxehta, më të thata dhe me erëra te forta, gjë që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike. Banorëve të disa fshatrave në zonat e prekura nga zjarri iu kërkua të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa disa përdorën kova të vogla për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd