Transmetuar më 17-06-2024, 23:28

Hetuesit gjermanë njoftuan të hënën se sekuestruan kokainë me vlerë 2.6 miliardë euro nga disa anije me kontejnerë dhe arrestuan shtatë persona në atë që ata e quajtën gjetja më e madhe e kokainës ndonjëherë në vend.

Prokurorët në qytetin perëndimor të Duseldorfit thanë se konfiskuan 35.5 tonë metrikë (39 tonë amerikanë) kokainë pas një informate nga autoritetet kolumbiane.

Ata shtuan se gjetën 25 tonë kokainë në portin e qytetit verior të Hamburgut, 8 tonë të tjerë në portin holandez të Roterdamit dhe pothuajse 3 tonë në Kolumbi. Droga ishte e fshehur mes perimeve dhe frutave, raporton noa.al.

Të dyshuarit e arrestuar, të moshës 30 deri në 54 vjeç, janë gjermanë, azerbajxhanas, bullgarë, marokenë, turq dhe ukrainas, thanë prokurorët në një deklaratë. Identiteti i tyre nuk u dha në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë.

Konkretisht, të dyshuarit akuzohen për organizimin e transportit të 10 kontejnerëve detar me sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës në periudhën nga prilli deri në shtator 2023 me bashkëpunëtorë të tjerë ende të panjohur që dyshohet se banonin në Turqi nëpërmjet kompanive të ngritura për këtë qëllim”, thuhet në një deklaratë me shkrim të prokurorëve.

Ministri shtetëror i Drejtësisë i North Rhine-Westphalia, Benjamin Limbach, vlerësoi kapjen e madhe të kokainës në një konferencë shtypi në Duseldorf.

"Kjo është një goditje ndaj kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar," tha Limbach. “Është një goditje e saktë që lëndon bosët e drogës.” /noa.al

Këto mjete të blinduara bartin kokainën që dërgohet për asgjësim. Foto: Zyra e Hetimit të Doganës së Shtutgartit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd