Ish kryeministri Sali Berisha fshikulloi sot demokratët që qëndrojnë ende në krah të Bashës duke thënë se vendi nuk ka nevojë për opozitarë në letra dhe bëri thirrje që të bashkohen, siç tha ai, që "t’i çjerrim çdo maskë regjimit".
Deklaratat e Berishës u bënë pasditen e sotme nga dritarja e apartamentit në Tiranë ku gjendet ende nën masën e sigurisë arrest shtëpie, raporton noa.al.
"Koha fton çdo shqiptar të mos qëndrojë opozitar në letra. Ju rikujtoj këtu ju se gjatë diktaturës, shumica e njerëzve mendonin krejt ndryshe për realitetin dhe regjimin.
Por, atë mendim e mbanin për vete dhe diktatura forcohej çdo ditë dhe ajo ishte një mbështetje për diktaturën", tha Berisha para mbështetësve që mblidhen çdo pasdite vonë para pallatit ku ai jetonte i izoluar prej afro gjashtë muajsh.
"Prandaj qytetarë dhe qytetare, – vazhdoi Berisha – të mos rrimë duke folur me vete, duke kritikuar, qortuar me vete këtë regjim çnjerëzor të pafytyrë, por të bashkohemi dhe t’i çjerrim çdo maskë. Të bashkohemi, të gatshëm për çdo sakrificë!"
Në vazhdim Berisha foli për zgjedhjet e ardhshme duke kërkuar largimin e Ramës përmes një qeverie teknike.
Sipas tij, vota e lirë ka një armik, një armik mizor, dhe ky quhet Edi Rama.
Atëherë, – shtroi pyetjen Berisha, – do të lejojmë ne, do qëndrojmë ne opozitë në letër apo opozitë mosbindje civile, dhëmb për dhëmb gjersa ta mposhtim të keqen.
Këtu ai shtoi: "U bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, u voni të vërtetën vetes suaj dhe njëri-tjetrit, u thoni të vërtetën qytetarëve se me Edi Ramën, vota jonë ka zero vlerë. Se me Edi Ramën, nuk ka zgjedhje. Atëherë të bashkohemi për të përmbysur regjimin, qeveri teknike, zgjedhje të lira". /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd