Transmetuar më 03-06-2024, 12:28

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas publikimit të tezës së anglishtes në rrjetet sociale. Përmes një deklarate Ministria “sqaron opinionin publik, maturantët, prindërit e tyre dhe mësuesit, se akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe as nuk zhvlerëson punën dhe mundin e mijëra mësuesve e punonjësve arsimorë, që janë angazhuar prej muajsh që ky proces të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë nxënësit”.

Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon fuqimisht çdo përpjekje për të minuar integritetin e procesit të provimit dhe punën e maturantëve, mësuesve dhe punonjësve arsimorë.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se provimi po zhvillohet në standarde të larta, duke krijuar çdo mundësi për maturantët që të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre të përfituara gjatë shkollës së mesme. Këto standarde janë siguruar nëpërmjet programit orientues të Maturës Shtetërore, konsultimeve në çdo shkollë, testeve model të përgatitura nga QSHA, paratesteve të zhvilluara në çdo gjimnaz dhe këshillimeve nga shërbimi psiko-social për menaxhimin e stresit në provime”.

Sipas Ministrisë, hartimi i testit është kryer në kushte të larta sigurie dhe profesionalizmi, dhe organizimi i provimit ka përfshirë trajnimin dhe certifikimin e të gjithë personave të përfshirë në administrimin e Maturës.

“Ministria e Arsimit dhe institucionet arsimore kanë marrë masa për të përmirësuar procesin e Maturës Shtetërore, duke përfshirë, monitorimin e rreptë të ambientit të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnime shtesë për administratorët, kontrollin rigoroz të hyrjes dhe daljes në ambientet ku zhvillohen provimet, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kushteve të provimit për të krijuar një mjedis miqësor që ndihmon në reduktimin e stresit të maturantëve dhe përmirësimin e performancës së tyre. Për ne, suksesi i maturantëve tanë është parësor dhe ne do të vijojmë të punojmë me përkushtim për t’u siguruar atyre një proces të drejtë dhe të ndershëm”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd