Transmetuar më 02-06-2024, 20:49

Njëzet qytete të vendit do të pajisen me një sistem kamerash inteligjente me qëllim rritjen e sigurisë në komunitet, mbrojtjen e jetës e pronës private si dhe monitorimin e trafikut rrugor.

Sipas ‘Tv Klan", janë 20 qytetet ku do të instalohen këto pajisje, të cilat do jenë funksionale 24 orë.

Në 5 prej qyteteve, konkretisht Kamëz, Vlorë, Lezhë, Rrëshen dhe në një pjesë të Tiranës ka nisur instalimi i kamerave inteligjente.

Përmes këtyre pajisjeve me rezolucion të lartë monitorohet situata në terren, lëvizja e çdo automjeti si dhe identifikohen targat e makinave të shpallura ‘alert’.

Kamerat inteligjente me rezolucion të lartë funksionojnë edhe në audio dhe mundësojnë pamje të qarta edhe për persona të dyshuar që lëvizin në këmbë apo me automjet.

Qytetet e përcaktuara për të qenë pjesë e projektit “Smart City” janë përzgjedhur nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit bazuar në nivelin e kriminalitetit që ato kanë.

Projekti për monitorimin me kamera inteligjente të 20 qyteteve do të kushtojë në total 60 milionë Euro, ku një pjesë e konsiderueshme e vlerës do të mundësohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lista e plotë e qyteteve që do të përfshihen nga projekti “Smart City”

Qytetet pjesë e projektit "Smart City":

Tiranë Durrës Kamëz Kavajë Krujë Laç Lezhë Rrëshen Shkodër Elbasan Pogradec Korçë Lushnje Fier Berat Vlorë Sarandë Gjirokastër Peshkopi Kukës

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd