
Partizani iu ka dhënë fund përgatitjeve për takimin ndaj Egnatias, i vlefshëm për javën e 13-të të kampionatit kombëtar. Ndeshja në fjalë do të fillojë sot, prej orës 13:30, aty ku u ndërpre para disa ditësh, nga minuta e 24-t, në "Arena Egnatia" të Rrogozhinës. Një ballafaqim i ngarkuar emocionalisht, pas asaj që ndodhi me Raphael Dwamena, i cili pësoi arrest kardiak në fushën e lojës dhe ndërroi jetë rrugës për në spital. Një ngjarje që tronditi jo vetëm dy skuadrat në fushë, Egnatian dhe Partizanin, por krejt futbollin shqiptar. Trajneri i kuq, Arbër Abilaliaj, tha para transfertës së sotme rrogozhinase:
Sa e vështirë do të jetë ndeshja me Egnatian?
Patjetër që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, jo normale. Si unë, ashtu edhe lojtarët në periudhën që kemi luajtur futboll nuk kemi hasur një eksperiencë të tillë. Mendoj që psikologjikisht patjetër do jetë e vështirë. Nuk do të dëshiroja që ta zhvillonim ndeshjen e ndërprerë kaq shpejt, gjithsesi një gjë është e sigurt: përveç ngërçit të minutave të para, gjithë pjesa tjetër pastaj do të jetë lojë e bukur për t’u parë dhe shijuar nga tifozët në stadium.
Ndjesia juaj si ndeshja e parë, tashmë zyrtarisht trajner i Partizanit…
Të them të drejtën nuk është se kam ndonjë ndjesi të veçantë. Është vazhdë e punës që kemi bërë gjatë gjithë këtyre javëve. Jemi të gjithë të përqendruar, nga unë i pari, për të bërë më të mirën. E kemi përgatitur këtë ndeshje në të gjitha detajet, patjetër dëshira është që të marrim 3 pikët e plota.
Përveç Alban Hoxhës, a do të ketë ndryshime në formacion?
Përveç Albanit nuk duhet të kemi ndryshime të tjera. Protokolli , pra formacioni është i njëjtë. Për Albanin kemi qenë të detyruar, pasi ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Duke pasur parasysh që ndeshja luhet pas një distance afro 2 javësh, janë gjëra që mund të ndodhin.
Vetëm së fundi janë afruar dy lojtarët që ishin pjesë e ekipit kombëtar U-21…
E përsëris, është një situatë jo normale. E rëndësishme është të ecim përpara, ne i kemi forcat për ta përballuar këtë ndeshje siç duhet. Keqardhje që një ndeshje kaq e rëndësishme u detyrua të zhvillohet në kushte të tilla, ndoshta me ngarkesë psikologjike, por edhe me disa anomali përsa iu përket zëvendësimeve apo protokollit. Gjithsesi, besoj që do ta përligjim interesin e kësaj ndeshjeje.
Orari i ndeshjes, i papërshtatshëm?
Duke pasur parasysh ndoshta edhe kushtet e stadiumit, për shkak të ndriçimit, nuk e lejojnë këtë gjë. Gjithsesi ishte një kostatim që unë e bëra edhe përpara ballafaqimit të parë. Pavarësisht nëse luhet në orën 13:30 apo në orën 18:00, ashtu si nisën ato 24 minutat e para ishte një ndeshje shumë e pëlqyeshme për të gjithë të pranishmit në stadium.
Çfarë Egnatia prisni?
Pres një Egnatia më agresive. Pres një ekip më kompakt dhe normalisht më i vendosur në fushën e lojës për të marrë rezultat pozitiv. E thashë edhe një herë, e kemi analizuar kundërshtarin, pasi kemi patur edhe kohën e mjaftueshme për ta bërë këtë gjë. I kemi marrë masat në këtë drejtim.
Sa ju favorizon mungesa e Dwamena?
Mendoj se për kualitetin e tij, të gjithë kemi rënë dakord. Në momentin që humb një futbollist të tillë, patjetër që është minus për Egnatian. Kjo gjë është më se evidente dhe nuk diskutohet. Për këtë iu takon drejtuesve të Egnatias që të marrin masa. Sa i përket ekipit tonë, patjetër është një favorizim, duke pasur parasysh se kundërshtarit i mungon golashënuesi më i mirë.
Si është situata me dëmtimet?
Në momentin që po flasim të rikuperuar janë Hadroj, Mba, kurse pjesa tjetër vuajnë ende dëmtimet. Da Silva është në rikuperim e sipër, po ashtu edhe Antanaskovski dhe Sota.
Kur do ta shikojmë Grezdën në nivelin e dikurshëm?
Grezda edhe së fundi ka vuajtur një dëmtim që mori ndaj Vllaznisë dhe për këtë arsye nuk është përgatitur rregullisht këto ditë. Ishte në rrugën e duhur, po stërvitej siç duhet. Patjetër që i duhet një farë kohe të arrijë atë që duhet të bëjë, duke pasur parasysh se nuk e ka pasur vazhdimësinë në ndeshje, pasi në stërvitje e ka gjetur. Ndeshjet janë ato që bëjnë diferencën, por është edhe pak e vështirë me këtë kontingjent që kemi. Synimet që ka ekipi, të gjithë ata që futen në fushën e lojës, përveçse duhet të jenë 100% dhe ta ndihmojnë ekipin me atë që bëjnë, duhet edhe të dinë që ta ruajnë kualitetin. Nëse krenohemi me ata 11 që kemi në fushë, duhet të krenohemi edhe me 11 të tjerët në pankinë, që janë shumë të rëndësishëm dhe mund të bëjnë akoma më shumë se ata që luajnë një ndeshje të caktuar apo dy.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





