Transmetuar më 22-10-2023, 22:02

ELBASAN – “Le të themi që u ulëm poshtë dhe nuk ia dolëm më pas të menaxhonim mbajtjen e topit si deshëm. Objektivi ishte të vazhdonim e sulmonim për të kërkuar golin e tretë. Por me sa duket krijuam përshtypjen se ndeshja kishte mbaruar”,- tha trajneri italian Luigi Di Biagio fillimisht, para se të fliste për dorëheqjen e tij.

“Unë kam shumë besim te këta djem, por në jetën time kam qenë gjithmonë një person korrekt, i sinqertë e i ndershëm. Ndaj për këtë arsye do të jap dorëheqjen. Mund ta thuash qetësisht. E bëj në respekt të një klubi të rëndësishëm, me një histori të rëndësishme, si të Dinamos, nuk ia dola të transmetoj atë që desha për këta djem, që kanë dhënë gjithçka në çdo stërvitje, por në ndeshje mund të bëhej padyshim më mirë.

Ndaj jam këtu për të falënderuar klubin për mundësinë që më ka dhënë, ka objektiva të rëndësishme dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për ta ngritur lart.

Meqë jam person që vlerat e rëndësishme i kam bazën e parimeve të mia në karrierë, e mbyll kontratën dyvjeçare, sepse nuk e ndjej veten mirë në situatën ku bëhem peshë për një klub shumë të rëndësishëm. Mendoj se në jetë vlerat, respekti dhe të kesh vlerësim maksimal për situatat si e tashmja, vlejnë më shumë se një ndeshje,”- tha trajneri italian Luigi Di Biagio.