Transmetuar më 02-10-2023, 13:49

“Infermieria” e Barçës ka një anëtar të ri. Raphinha i është bashkuar listës së të dëmtuarve, pasi pësoi lëndim në bicepsin femoral të këmbës së djathtë rreth minutës së 35-të të duelit me Sevilla, të premten në “Estadi Olímpic Lluís Companys”.

Pikërisht, klubi katalanas e kishte planifikuar këtë ndeshje, që i takonte javës së tetë të La Liga-s, me dy mungesa të rëndësishme: Frenkie De Jong dhe Pedri. Dy mungesa që, pavarësisht rëndësisë së tyre, kanë mundur të kompensohen me inkursionin e lojtarëve si Gavi, Fermín López apo vetë Raphinha.

Strategjia e rotacionit nuk ka funksionuar për trajnerin Xavi, i cili tashmë do të duhet të arrijë të ndërtojë një skemë konkurruese pa praninë e tre lojtarëve të tij më të përdorur. Për më tepër, një nga përplasjet më të rëndësishme të sezonit për Barçën duket në horizont, “El Clasico”.

Më 28 tetor, Barcelona dhe Real Madridi do të takohen në një duel që duket jo pak përcaktues për të ardhmen e La Liga-s. Aq më tepër pas një fillimi kaq të barabartë dhe të diskutueshëm të kampionatit, në luftën e tyre për lidership.

Me thuajse një muaj të mbetur deri në “El Clasico”, koha është disi e mjaftueshme. Objektivi kryesor i Barçës është t’i rikuperojë të tre të dëmtuarit në fjalë për supersfidën e 28 tetorit ndaj “Los Blancos”. Katalanasit e kanë shënuar me të kuqe atë ditë dhe do të punojnë që të gjithë lojtarët të jenë në dispozicion.

Ai që ka më shumë vështirësi për të arritur në “El Clasico” është Frenkie De Jong. Holandezi, kyç dhe perandorak në javët e para, dëmtoi sindezmozën distale tibioperoneale të kyçit të këmbës së djathtë javën e kaluar dhe nuk do të rikthehet në stërvitje, nëse nuk ka përmirësim të papritur, deri në nëntor.

Situatat e Raphinha dhe Pedri janë disi më shpresëdhënëse, megjithëse prania e tyre në “El Clasico” do të varet nga mënyra se si do të ecin rikuperimet e secilit gjatë muajit tetor. Të dy vuajnë nga një dëmtim në kofshën e djathtë.

Në kushte normale, De Jong dhe Pedri janë të padiskutueshëm në formacionin titullar të Xavi, edhe roli i Raphinha është gjithashtu shumë i rëndësishëm për Barcelonën. T’i ketë ata, ose të paktën dy prej tyre, për duelin kundër Real Madridit do të ishte një aset i rëndësishëm për Xavi Hernandez.