Transmetuar më 30-09-2023, 10:16

Presidenti i PSG-së, Nasser Al Khelaïfi, ka dhënë një intervistë për median polake “Meczyki”, në të cilën ka shqyrtuar tema të ndryshme aktuale, përfshirë edhe Superligën Europiane. Sheiku nga Katari, i rizgjedhur unanimisht si president i ECA (Shoqatës së Klubeve Europiane të Futbollit), pranoi se u takua me Laporta, se e konsideron kompeticionin në fjalë një shaka dhe se, për më tepër, Superliga Europiane kishte vdekur para se të shpallej.

Presidenti i PSG-së, gjithashtu pranoi se është shumë i lumtur me Kylian Mbappé, rinovimi i të cilit nuk ka shtuar episode të reja që nga gushti. I pyetur për mosmarrëveshjet e tij me Real Madridin dhe Barcelonën, Al Khelaïfi ishte i qartë: “Vetë këto klube e dinë që unë nuk i përmend kurrë emrat e tyre, madje as në bordin e drejtorëve, në një mjedis më privat.

Gjithmonë iu them dhe i këshilloj të kthehen në ECA në çdo kohë. Duhet t’i bashkohen familjes së madhe të klubeve, janë të mirëpritur. Juventusi tashmë është tërhequr nga projekti i Superligës. Edhe ata duhet të bëjnë të njëjtën gjë, nuk kanë zgjidhje tjetër. Nuk jam kundër Barcelonës apo Real Madridit, nuk do të përjashtoj askënd.

Unë jam kundër konfliktit dhe grindjeve. U takova me Joan Laporta (president i Barcelonës) dhe i thashë të njëjtën gjë. Nëse duan të luftojnë, le të luftojnë njëri-tjetrin (ai dhe Perez, me klubet e tyre). Nuk do të humbim më kohë për këtë, kemi gjëra të tjera për të bërë. Ne duam të zhvillohemi dhe Superliga sot është një shaka. Ajo kishte vdekur para se të shpallej.

Unë e quaj këtë ide një jo-Superligë. Jemi të bashkuar si kurrë më parë. Ata donin të na përçanin, por ndodhi e kundërta. Falë kësaj ne mund të arrijmë gjëra novatore. Në takimin e së mërkurës iu thashë anëtarëve të bordit se dukej si një darkë familjare.

Ne punojmë për të mirën kolektive dhe shumë prej nesh mund të kishin zgjedhur ndryshe. Vetë UEFA bëri një punë të shkëlqyer duke e ndalur Superligën. Në këtë kuptim ne duhet të vlerësojmë edhe kontributin e Aleksandar Ceferin (presidenti i UEFA-s).

Sheiku nga Katari, presidenti i ECA, ka folur edhe për Kylian Mbappé, ndonëse nuk dha detaje mbi një rinovim të mundshëm të kapitenit të kombëtares franceze: “Kylian Mbappé është lojtar i PSG-së. Ai e do këtë klub, është një lojtar fantastik. Është më i miri në botë. Jemi të lumtur që e kemi dhe do ta kemi”.

PSG u interesua për Robert Lewandowski në vitin 2022, megjithëse polaku preferoi të bashkohej me Barcelonën. Mbi këtë tratativë të dështuar, Al Khelaifi nënvizoi: “Unë kam një politikë që të mos flas për lojtarët që nuk janë te PSG, as rreth transferimeve që do të ndodhin ose që duhej të ndodhnin. Nuk përbën sekret fakti që Robert është një sulmues fenomenal.

Të gjitha klubet në botë, në një moment menduan për nënshkrimin e tij. Robert është sot në Barcelonë dhe e respektoj zgjedhjen e tij. Ju si polakë duhet të jeni krenarë për të. Nuk kishte shumë “snajperistë” të tillë në futboll, që shënonin gola pothuajse në çdo ndeshje. Ai është një makineri golash, një njeri i madh. Jemi takuar dhe unë mund të flas vetëm shumë mirë për të".

Al Khelaïfi ishte i hapur ndaj mundësisë që Liga e Kampionëve të zhvendosej në Azi, SHBA ose kudo jashtë Evropës një ditë: “Kjo është diçka që UEFA duhet t’i kushtojë vëmendje. Aktualisht, rregulloret dhe statuti nuk na e lejojnë këtë. UEFA është e hapur për dialog. A duhet të mendojmë për këtë. Pse jo? Unë mendoj se Evropa është e sigurt në këtë kuptim".