Transmetuar më 29-09-2023, 10:25

Benjamin Pavard e donte Interin dhe bëri gjithçka për ta veshur fanellën zikaltër. Pjesa tjetër u bë nga klubi i cili, me një ofertë shumë të lartë për një lojtar të cilit i skadonte kontrata, e rrëmbeu atë nga Bayern Munich. Dy dëshira të rastit që çuan në rezultatin e suksesshëm të negociatave.

Mbrojtësi francez tregoi për Dazn arsyet e zgjedhjes së tij: “E kam ndjekur futbollin italian prej kohësh, kam shumë miq që luajnë në Serie A. Për mua është një ligë e fortë taktikisht, ndjej se mund të mësoj ende shumë gjëra këtu. Ndihem krenar që jam pjesë e këtij klubi të madh si Interi. Unë luaj futboll për të fituar trofe.

Në fund të karrierës dua të jem krenar për veten time, kur të shikoj të gjithë trofetë e fituar. Shpresoj se do të ketë ende shumë, sepse jam dikush që kam uri për të fituar trofe. Do të doja të fitoja disa tituj me Interin, më së pari titullin në fund të sezonit dhe të vendosja yllin e dytë në fanellën time".

Vera që sapo përfundoi ka ndryshuar rrjedhën e karrierës së kampionit francez të botës: "Kisha 7 vite në Gjermani, ndjeva se kishte ardhur koha për një sfidë të re. U shfaq Interi, një klub me një histori e madhe, e shkruar nga legjenda si Javier Zanetti, i cili edhe sot punon për klubin dhe për të cilin kam respekt të madh.

Për mua ishte diçka e qartë, Interi u paraqit me të njejtat ambicie si unë, për të fituar sa më shumë trofe. Shpresojme të mund të festojmë sa më shumë në fund të sezonit, së bashku me tifozët tanë të mrekullueshëm”.

Angazhimi i tij tek Interi, deri më tani ka qenë gradual. Kur u fut në fushë, Inzaghi e vendosi atë si mbrojtës të tretë në të djathtë: "Pozicioni im i preferuar është si qendërmbrojtës në një mbrojtje me tre lojtarë. Aktivizimi si mbrojtës anësor? Të gjithë e dinë që mund të luaj atje, por nuk është aty pozicioni ku ndihem rehat.

Jam tek Interi që të mund të shpreh veten në rolin që preferoj, ku mund të sjell përvojën time. Sigurisht që nuk jam gjeni futbolli si Messi, por një djalë që kam punuar shumë gjithmonë. Askush nuk më ka dhënë asgjë, gjithçka e kam fituar me punën time.

Edhe në kohë të vështira nuk kam hequr dorë kurrë. Këtë veti ia kam borxh babait tim, i cili kishte forcë të madhe mendore. Këmbëngulja deri në fund është e rëndësishme për mua. Në momente të mira dhe të këqija është çelësi për të pasur një karrierë të shkëlqyer".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd