
Donnarumma, një kampion i vendosur dhe Donnarumma, një djalë 24-vjeçar. Portieri i PSG-së dhe Italisë u rrëfye në një intervistë të gjatë, dhënë ekskluzivisht për “SportMediaset”. Në të kuptohen ëndrrat, qëllimet dhe reflektimet e Gigios.
Si e përballoni faktin që jeni ende shumë i ri, por tashmë keni kaq shumë përvojë në botën e futbollit?
Është e vërtetë, kam luajtur shumë ndeshje, por jam ende i ri, 24 vjeç. Megjithatë, ndihem gjithnjë e më i pjekur. Patjetër që duhet të rritem, por e jetoj shumë qetë karrierën. Vazhdoj rrugën time dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.
Ju duhet edhe forcë mendore për t’i përballuar dhe kapërcyer kritikat. Si funksionon?
Është e vështirë, nuk është e lehtë, por duhet të distancohesh nga gjithçka. Ne jemi njerëz, është normale të lexosh gjëra edhe në rrjetet sociale, por është thelbësore të distancohesh dhe të punosh shumë. Disa gabime ndodhin dhe të tjera do të ndodhin, sepse ne nuk jemi robotë, por gjëja e rëndësishme është të punosh shumë dhe të ecësh përpara me ekipin tënd.
A ju mungon ndonjëherë të jetoni si çdo 24-vjeçar tjetër?
Ndonjëherë po, por le të themi që kam zgjedhur të bëj këtë punë dhe për këtë arsye nuk e vuaj shumë. Jam shumë i lumtur që shkoj në grumbullime, që luaj rregullisht. Ta kem këtë presion është gjë pozitive për mua. Shpresoj që shumë fëmijë, që kanë filluar të luajnë futboll, mund të arrijnë një nivel të caktuar për të ndier presionin që ndiejmë ne, edhe në ndeshje të mëdha. Kjo është bukuria e futbollit dhe më pëlqen shumë.
Si është jeta në Paris?
Parisi është i bukur. Në fillim ishte pak e vështirë, sepse u largova nga zona ime e rehatisë. Unë kam qenë gjithmonë në Milano, jam rritur atje, ndaj ishte e vështirë të largohesha nga ai ekip, por tani gjërat janë shumë më mirë. Po mësoj gjuhën, kam miq dhe gjithçka shkon mirë.
A ka ende Donnarumma një ëndërr të parealizuar?
Shpresoj të fitoj sa më shumë, si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren. Ëndrra ime është fitorja e Champions League dhe Kupës së Botës me Italinë. Shpresoj ta bëj një ditë, do të jap gjithçka. Kjo do të ishte më e mira.
Një mendim për “Topin e Artë”…
Nuk është e lehtë, unë e kam fituar tashmë çmimin “Yashin” dhe ishte tepër e kënaqshme. “Topi i Artë” nuk është i lehtë, por është bukur të ëndërrosh. Do të jap gjithçka, pastaj kush e di…
Si i sheh ekipet italiane në Champions League këtë sezon?
Shumë mirë, e pamë edhe sezonin e kaluar me Milanin në gjysmëfinale dhe Interin në finale. Napoli u eliminua në çerekfinale. Unë i shoh mirë dhe mendoj se do të shkojnë larg, sepse janë skuadra shumë të forta, duke përfshirë edhe Lazion.
Më e forta mes skuadrave italiane…
Sezonin e kaluar, Napoli pati një kampionat të shkëlqyer dhe bëri mirë në Evropë. Ata luajtën mirë dhe do të jenë në gjendje ta thonë fjalën e tyre edhe këtë sezon, ndonëse e kanë nisur pak keq. Milani është shumë i fortë, i kemi në grup dhe do të jetë një sfidë shumë e vështirë. Interi luajti në të njëjtin nivel me Manchester City në finale, mund ta thotë fjalën e tij. Lazio e nisi shumë mirë duke barazuar ndaj Atletico Madridit, me golin e mikut tim Ivan.
A ëndërroni të shënoni një gol në Champions League si Provedel?
Kunati më shkroi një ditë pas atij goli se ishte ëndrra e tij të më shihte të shënoja. Shpresoj se mund të ndodhë, me rëndësi është të fitoj së pari.
Si është të jesh idhulli i portierëve më të rinj?
Shpresoj të jap një shembull si brenda dhe jashtë fushës. Ndihem krenar që jam shembull për shumë njerëz.
Si e përjetuat rokadën e trajnerit të kombëtares mes Spalletit dhe Mancinit?
Ishte e vështirë, nuk e prisnim, por duhet ta falënderojmë zotin Mancini për atë që na dha. Me të bëmë histori duke fituar Kampionatin Evropian. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të, flas shpesh, i uroj suksese në të ardhmen. Me Spallettin mendoj se do të bëjmë gjëra të mëdha, sepse është një trajner i madh, që i bën ekipet e tij të luajnë mirë. Do të kemi kënaqësi të madhe me të. Nuk e njihja personalisht, e dija se ishte një trajner i madh, por duke e parë nga afër mund ta perceptosh madhështinë e tij edhe më shumë.