Transmetuar më 26-09-2023, 23:14

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur në lidhje me vrasjen e policit shqiptar të Kosovës nga terroristët serbë dhe përgjigjen e policisë së Kosovës, duke vrarë 3 prej terroristëve të armatosur. I ftuar në emisionin ‘A Show’ në Syri Tv, Berisha tha se mbështet Albin Kurtin në vendimet dhe veprimet e tij. Ndërsa për Presidentin Aleksandër Vuçiç, ai theksoi se është një Sllobodan i ri luftënxitës.

‘Në mënyrë konstante kam qenë dhe jam i mendimit në të drejtën kushtetuese të pakundërshtueshme të të drejtës së autoriteteve të Kosovës të vendosin ligjin në të 4 skajet e atij vendi. E konsideroj mospërmbushje të detyrës nëse nuk e bëjnë këtë. Mendoj se qeveria Kurti në këtë drejtim ka bërë hapa të duhur. Mund të ishin në vlerësimin tim edhe më të fortë, jo në intimidimin e popullatës serbe, por garantimin e jetës dhe zhvillimit normal të saj, të serbëve dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. Kjo për mua.

Kryeministri Kurti ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Nëse sot në komunat e veriut të Kosovës, mungon policia serbe për shkak të luftënxitësit, Sllobodanit të ri që quhet Aleksandër Vuçiç sepse është ai që urdhëroi pa asnjë arsye ligjore, zhveshjen e 500 policëve apo më shumë, që ishin në këto komuna. Kjo nuk do të thotë kurrë që ai mund të marrë peng, as rendin kushtetues as qeverinë e Kosovës. Përshëndes çdo hap që bëhet në zbatimin e ligjit në të gjithë territorin e Kosovës’, tha Berisha.