Transmetuar më 26-09-2023, 10:48

“Të martën do të jetë një Juventus i motivuar, i vëmendshëm dhe i zemëruar. Szczesny do të jetë në portë”. Massimiliano Allegri përpiqet të lërë mënjanë paraqitjen e tmerrshme të të tijve në Reggio Emilia, humbjen 4-2 kundër Sassuolos, në të cilën gabimet e portierit ishin vendimtare. Ai kërkon të kthejë faqen dhe është i përqëndruar te Lecce, ende e pamposhtur në Serie A, që do të zbarkojë në “Allianz Stadium”:

“Duhet të kthehemi te fitorja dhe të zhbëjmë shijen e keqe që la humbja ndaj Sassuolos, ku pati disa gabime individuale. E nisëm mirë, pastaj ishin episodet që përfshinë Szczesny dhe të tjerët që ndryshuan rezultatin. Duhet të mësohemi të luajmë një herë në javë dhe të mendojmë pozitivisht, jo negativisht.

Tani presim Lecce, një ekip teknik, solid dhe ende i pamposhtur në këtë kampionat. D’Aversa është një trajner i shkëlqyer, ndërsa Corvino është një nga menaxherët më me përvojë. Ne gjithashtu do të kemi nevojë për tifozët tanë për të bërë sa më mirë.

Szczesny është titullar, po flasim për një lojtar të nivelit europian, do të luajë ndaj Lecce. Edhe Perin është një portier i rëndësishëm. Gatti duhet të qëndrojë i qetë dhe të punojë. Ai erdhi së fundi te Juventusi, në futboll gabimet janë pjesë e karrierës së një lojtari”.

Allegri kundër Lecce duket se synon të bëjë rotacion me disa lojtarë, përfshirë sulmin: “Më duhet të shoh Kean, i cili ka një problem të vogël me tibian, të vlerësoj Chiesa, Vlahovic dhe Milik. Federico është vendosur mirë në rolin e tij të ri dhe është gjithnjë e më i vetëdijshëm. Dusan është një sulmues i mrekullueshëm, por duhet të gjejë ekuilibrin e tij.

Futbolli nuk është aritmetik, ka nga ata që rriten shpejt dhe të tjerë më vonë. Pjekuria e plotë është arritur gjithmonë në moshën 26-27 vjeç. Njëri mes Chiesa dhe Vlahovic mund të pushojë ndaj Lecce. Pastaj është Yildiz, i cili është kthyer me ne pas golit të mrekullueshëm që shënoi me Next Gen. Ai është një djalë që më pëlqen shumë”.

Ajo që nuk ndryshon, aq më tepër pas rrëshqitjes në Reggio Emilia, është qasja e Allegrit për titullin: “Beteja për ta fituar kampionatin? Interi, Milani dhe Napoli janë mbi të tjerët në letër. Zikaltrit e meritojnë vendin e parë në renditje, ne duhet të jemi të mirë në luftën për 4 vendet e para. Rikthimi në Champions League është vendimtar nga të gjitha këndvështrimet.

Nëse them ta ngremë stekën, atëherë duhet të përmirësohemi, të rritemi në fushë. Të ëndërrosh është bukur, por duhet të shikosh realitetin. Ne nuk kemi problem lidershipi, kemi Danilon, Szczesny, Alex Sandro… Në verë humbëm përvojën dhe fituam energji.

Limitet tona duhet të bëhen pikat tona të forta, duhet të ruajmë ekuilibrin brenda vetes. Ne duhet të kemi dëshirën për të marrë rezultate maksimale, sepse jemi Juventusi, ku ka presion dhe përgjegjësi. Këto janë dy gjërat më të bukura dhe stimuluese”.