Transmetuar më 25-09-2023, 15:30

Pas fitores së ngushtë ndaj Empolit, Simone Inzaghi është shprehur i kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin, që ende e mban Interin në krye të renditjes me pikë të plota. "Ne po luanim kundër një skuadre me motivim të fortë, pas ndërrimit të trajnerit. Kemi luajtur një ndeshje të shkëlqyer, – shpjegoi trajneri zikaltër.

– Thjesht duhej ta mbyllnim çështjen e rezultatit më herët, sepse pas dëmtimit të Arnautovicit mbetëm me dhjetë lojtarë dhe vuajtëm pak në fund. Ne kishim shumë mundësi për ta dyfishuar epërsinë, Arnatutovic ka një problem muskulor. Ai është një lojtar i rëndësishëm, që do ta humbasim për një kohë.

Lavditë personale nuk më interesojnë. Unë jam i interesuar për ekipin dhe grupin, – vazhdoi Inzaghi, duke komentuar suksesin e pestë radhazi të Interit në kampionat. – Unë jam gjithmonë i fokusuar te puna.

Në futboll, gjykimet ndryshojnë shumë nga një ndeshje në tjetrën, por jam krenar që drejtoj Interin dhe e di se çfarë rruge kemi bërë. E kemi nisur mjaft mirë sezonin, por duhet të shohim përpara, jo prapa. Tani do të kemi shumë ndeshje intensive, ndaj duhet të rikuperojmë energjinë fizike dhe mendore.

Të gjitha skuadrat kanë nevojë për motivim. Po të luash shumë, nuk është e lehtë të qëndrosh i kthjellët nga ana mentale. Nuk kam asgjë për ta qortuar skuadrën, – shtoi Inzaghi, duke komentuar sërish ndeshjen kundër Empolit.

– Ne luajtëm të përqendruar dhe iu qasëm mirë ndeshjes. Duhet të ishim më agresivë dhe të shënonim më herët. Goli i Dimarco na e bëri më të lehtë, por duhet ta dyfishonim epërsinë sepse në fund për pak pësuam gol.

Frattesi, alternativë e Barella? Ata mund të luajnë së bashku pa probleme. Në dhjetë ditët e fundit Davide kishte pasur një ngadalësim të vogël për shkak të lodhjes, që më pas e kapërceu. Sot ishte i përqendruar dhe më pëlqeu shtysa që na dha. Pastaj Barella hyri dhe na dha një dorë të madhe në menaxhimin e ndeshjes.

Calhanoglu dhe Lautaro? Ata janë dy lojtarë të rëndësishëm për ne, na ndihmojnë shumë. Kemi shumë ndeshje përpara, kam mjaft lojtarë për të përdorur dhe rotacioni duhet të jetë një zgjidhje e shkëlqyer, që duhet ta përdor sa më shumë të jetë e mundur".