Transmetuar më 23-09-2023, 21:30

Bruksel- Shtyhet Shengen-i me pagesë! Data e nisjes së nsimës së Bashkimit Europian, që detyron udhëtarët të paguajnë një tarifë të caktuar për të hyrë në vendet e zonës Shengen është shtyrë në pranverë. .

Ndërsa deri më tani, BE-ja vazhdimisht ka pretenduar se ETIAS do të bëhej funksional nga mesi i vitit 2024, një zyrtar i BE-së ka konfirmuar se data e hyrjes në jetë për ETIAS tani është shtyrë për në maj 2025.

“Fillimisht kishim shpresuar që EES të bëhej funksionale deri në fund të këtij viti ose, më së voni, në fillim të vitit të ardhshëm. Për shkak të vonesave të paparashikuara, është bërë evidente se ky afat kohor është i paarritshëm. Si rezultat, zbatimi i ETIAS është riplanifikuar në maj 2025, me mundësi shtyrje të mëtejshme,” tha zyrtari i BE-së.

Sistemi i hyrjes/daljes (EES) është një sistem i sigurisë kufitare të BE-së, një sistem i automatizuar IT që, në të ardhmen, do të regjistrojë udhëtarët nga vendet e treta sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Sistemi është shtyrë vazhdimisht krahas ETIAS. Të dy sistemet janë të lidhura thellësisht. Megjithëse Hyrja/Dalja mund të funksionojë siç duhet pa ETIAS, është e pamundur që ky i fundit të bëhet funksional pa EES.

Anitta Hipper, Zëdhënësja e Komisionit të BE-së për Çështjet e Brendshme, Migracionin dhe Sigurinë e Brendshme, kishte konfirmuar më parë se ETIAS nuk mund të bëhet efektive pa EES.

“Hyrja në funksionim e ETIAS mund të bëhet vetëm pesë deri në gjashtë muaj pas hyrjes në funksion të EES,” tha Hipper.

Shtyrja e ETIAS është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme franceze, sipas të cilës, nisja e ETIAS është planifikuar për vitin 2025, pa specifikuar një periudhë më të saktë se kur duhet të ndodhë kjo.