Transmetuar më 21-09-2023, 14:34

Ndodh rrallë, që një portier të shënojë për skuadrën e tij. Nga pika e bardhë e penalltisë është diçka më e shpeshtë, në fakt, por nga aksioni i kemi parë “rrallë e për mall” që “mbrojtësit ekstremë” ta tundin rrjetën e kundërshtarit.

Së fundi, Lazio u shpërblye në kohën shtesë nga “gardiani” i vet, i cili evitoi humbjen në përballjen e Champions League ndaj Atletico Madridit. Jo duke pritur, por shënuar në "frymën e fundit". Ishte goditja me kokë e Provedel, ajo që vulosi barazimin 1-1 në këtë sfidë të luajtur në “Olipmico”.

Duke pasur këtë referencë të freskët, “Mediaset” risjell në kujtesë të gjitha rastet kur portierët kanë shënuar dhe janë kthyer në “heronj” për skuadrat e tyre:

"Futbolli është i shpejtë dhe i papritur në gjërat e mira dhe të këqija. Po e shijoj fort golin që realizova sonte, por nuk fituam dhe duhet ta bëjmë këtë të shtunën në Serie A. Për shaka mund të them që kam studiuar Immobile. Luis Alberto zakonisht kroson të shtylla e dytë, ishte e vetmja zonë bosh dhe shkova atje.

A është më i mirë ky gol apo ai i shënuar ndaj Ascolit, kur luaja për Juve Stabia? Të dy kanë një kuptim të madh për mua, ishin dy situata të ndryshme”. Ky është komenti i menjëhershëm i Provedel, portierit të Lazios që shënoi golin e barazimit ndaj Atletico Madridit në limitin e kohës shtesë.

Një gol që në Champions League e futi atë në “klubin” e përzgjedhur të portierëve golashënues në Evropë. Më poshtë njihuni me “gardianët” që ia kanë dalë të realizojnë gol në kompeticionin elitar europian për klubet:

Hans-Joerg Butt shënoi tre gola në Champions League, të gjithë nga penalltitë dhe të gjithë kundër Juves. Në foto është goli i dhjetorit 2009 me fanellën e Bayern Munich.

Ivan Provedel është portieri i dytë në historinë e Champions League që shënon nga loja e hapur (jo penalltia). Ky ishte goli “in extremis” kundër Atletico Madridit.

Sinan Bolat (Standard Liège) shënoi golin e parë nga loja e hapur për një portier në Champions League, në dhjetor 2009. Goli erdhi falë goditjes me kokë kundër Az Alkmaar.

Vincent Enyeama shënoi gol me penallti për Hapoel Tel Aviv kundër Lyon-it në shtator 2010.

Nuk ishte Liga e Kampionëve, por asokohe quhej Kupa UEFA. Ishte sezoni 2006-2007, një tjetër portier italian shënoi gol. Fjala është për Marco Amelia në ndeshjen Partizan Beograd-Livorno, falë goditjes me kokë.