Tiranë- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka vizituar nga afër efektivin e repartit "Shqiponja", Edlir Alleshi, i cili u qëllua me dy plumba ndërsa ishte në aksion.
Alleshi u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mbrëmjes ndërsa një makinë e repartit ‘Shq2iponja’ ishte duke ushtruar kontrolle në zonën e Kinostudios, në Tiranë. Policia i ka kërkuar autorit të ndalojë, por ai është kundërpërgjigjur me zjarr. Autori i krimit është identifikuar Klered Bozhani.
Ministri Balla pasi pa nga afër punonjësin e plagosur u shpreh se rreziku për jetën ka kaluar, por po mbahet nën monitorimin e mjekëve.
"Një gjë është e sigurt se ky guxim i madh për të goditur me armë një punonjës policie, e për të mos iu bindur urdhrit të Policisë, do të marrë një goditje shumë të madhe nga Policia e Shtetit. Do të marrë përgjigjen më të fortë. Thirrja ime për personin, apo familjarë të tij, se dua ta ndaj me mediat se personi është identifikuar, është të dorëzohet menjëherë", apeloi ministri i Brendshëm.
Strukturat e Policisë së kryeqytetit janë vënë në ndjekje të autorit që ngriti dorë mbi punonjësin me uniformë, për ta përballur atë me drejtësinë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd