Transmetuar më 18-09-2023, 21:48

Përdorimi rekreativ i oksidit të azotit, ose gazit për të qeshur, është në rritje, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po e keqpërdorin drogën në përpjekje për t’u ekzaltuar.

Njerëzit thithin gazin – i njohur gjithashtu si "hippy crack" – nga balonat ose kutitë metalike dhe e bëjnë këtë për efektin euforik dhe mpirës të dhimbjes.

Droga ‘Tollumbace’ është një trend i ri edhe në Tiranë.

Të gjithë dinë se cili është lokali që ofron fare lehtë tullumbacen me oksid azoti, substancën që ndryshon gjendjen emocionale të Tiranë. duke shkaktuar kryesisht të qeshura.

Gazetari i Report Tv mundi të futej brenda këtij lokali dhe pasi porositi diçka për të pirë, interesohet tek kamerieri për tullumbacen.

Porosia, biseda me kamerierin:

Gazetari: O vëlla, tullumbace a keni?

Kamerieri: Po ore kemi!

Gazetari: Puna është se s’kemi provuar asnjëherë. Është e fortë kështu? Se s’duam të lëmë nam.

Edhe kësaj pyetjeve, kamerieri i përgjigjet si të ishte mjek.

Kamerieri: S’ka lidhje o vlla, ajo është gjë qejfi!

Gazetari: A janë të gjitha njësoj, mos është ndonjëra më e fortë apo njësoj?

Kamerieri: Jo

Gazetari: Na sill dy!

Pak minuta më pas, porosia vjen dhe kamerieri kujdeset të të mësojë edhe si konsumohet, por gazetari nuk e konsumoi duke u kamufluar pas argumentit se nuk di se si ta përdorë.

Kamerieri sjell porosinë, biseda:

Gazetari: Po çfarë bëjmë tani, vetëm e thithim?

Kamerieri: Thithe këtu.

Gazetari: Se mos vdesim fare ore…

Kamerieri: Po jo ore se nuk vdes.

Gazetari: Nuk e nxjerr jashtë, vetëm e thith?

Kamerieri: Kur e thith gazin, fute prapë këtu brenda. E thith, e fryn prapë!

Gazetari: E marr vesh.

Kamerieri: Bëje një çikë shpejt. Rri një çikë stakuar. Lëshoje dorën. Jepi mo vëlla, fryje prapë tullumbacen.

Gazetari: Lërë se nuk po e bëj po ashtu.

Kjo substancë e re që po përdorin të rinjtë në Shqipëri, i ka gjetur të papërgatitura autoritetet, përfshi dhe mangësitë ligjore për ta ndaluar atë.

Por në këtë lokal ku Report Tv arriti të dëshmojë se ajo tregtohet dhe konsumohet masivisht, shitet madje edhe me faturë tatimore, njëlloj si të kishe porositur një kafe apo pije alkoolike.

Fatura që kamerieri i dha gazetarit, e cilëson tullumbace, dhe përbri saj, ka të vendosur çmimin, 300 lekë copa.

Gjatë qëndrimit në këtë lokal shitet se kamerieri i ofron tullumbace me oksid azoti edhe shumë të rinjve të ulur në tavolina të tjera.

Por çfarë do të thotë kjo për ekspertët, sa të rrezikuar janë jo adultët?

Mjeku toksikolog Alert Drishti tregon se çfarë është kjo substancë e re që po qarkullon lirshëm në vendin tonë dhe pasojat që ajo sjell.

“Karakteristikë e intoksikacioneve nga kjo substancë është tek fëmijët e vegjël. Kur merret në sasi të mëdha ai mund të shkaktojë dëme që shkojnë deri në humbjen e jetës.

Dëmet kryesore janë mekanizmi i helmimit me këto substanca: është asfiksia, pasi kjo substancë shkëput oksigjen. Duke futur në trup këtë element në vend të oksigjenit ndodh ajo që është asfiksi, që klinikisht në doza të vogla jep një lloj euforie, një lloj kënaqësie dhe ngjan me një dehje të lehtë nga alkooli.

Por në sasi më të mëdha kemi ulje të presionit të gjakut, çrregullime të ritmit të zemrës, humbje të koshiencës dhe shkon deri në humbje të vetëdijes, koma dhe deri në vdekje kur përdoret në sasi të mëdha.

Nuk duhet kondideruar si një lojë, pasi mund të shfaqi dhe rreziqe të cilat kërcënojnë jetën e përdoruesit”, tha mjeku toksikolog Alert Drishti.

Sa i takon gjurmëve që lë në organizëm përdorimi i oksidit të azotit, mjeku Drishti thotë se mund të zbulohet vetëm me analiza laboratorike të thelluara.

Çfarë është ‘Tullumbacja’?

Bëhet fjalë për një substancë të gaztë. Dukjen e ka si një fishek, por pasi hidhet në tullumbace thithet njëlloj si heliumi që ndryshon zërin.

Bëhet fjalë për oksidin e azotit, për të cilin në perëndim është dhënë alarmi për pasojat që sjellë në shëndet dhe disa shtete po mendojnë masa konkrete për ta konsideruar të paligjshme.

Çfarë është oksidi i azotit?

I përdorur në mbarë botën nga dentistët si anestezi, gazi konsiderohet një "ilaç thelbësor" nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Çfarë bën?

Thithja e oksidit të azotit mund të ketë një efekt euforik te njerëzit duke i ndihmuar ata të ndihen të relaksuar.

Kjo është arsyeja pse ajo përdoret nga dentistët si një mjet për të mpirë lehtë dhimbjen, por mund të shkaktojë edhe halucinacione.

Veprimi i saktë kimik i drogës ende nuk dihet qartë, por është një depresant, që do të thotë se ngadalëson trurin tuaj dhe për rrjedhojë reagimet e trupit tuaj.

Përveç mpirjes dhe relaksimit, ai shpesh e lë përdoruesin të paaftë të mendojë drejt, duke shkaktuar sulme të qeshurash, prandaj dhe ka dalë emri i gazit të të qeshurës.

Gjithashtu mund të çojë në halucinacione tek disa njerëz, ndërsa për të tjerët mund të sjellë një dhimbje koke të papritur dhe të menjëhershme.

A është i rrezikshëm gazi i të qeshurit?

Ashtu si të gjitha kimikatet që kanë një efekt në trupin tuaj, oksidi i azotit mund të jetë i dëmshëm.

Edhe nëse ka vetëm "efektet e dëshiruara", mosmundësia për të menduar drejt mund të çojë në shumë telashe pasi përdoruesi mund të veprojë në mënyrë të rrezikshme ose të pamatur dhe të rrezikojë veten ose të tjerët.

Droga mund të jetë edhe fatale nëse personi përjeton mungesë oksigjeni. Kjo ndodh kur i gjithë oksigjeni zhvendoset nga oksidi i azotit. Rreziku i kësaj përforcohet nëse goja dhe hunda janë të mbuluara në një qese plastike duke e thithur atë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd