Sylvinho, trajner i Shqipërisë që prej janarit, ish-lojtar i Arsenalit, Barcelonës dhe Manchester City, ka folur në “Radio Sportiva”, media përtej Adriatikut.
“Kemi 8 muaj që punojmë në Shqipëri, – tha trajneri brazilian. – Duhet të them që gjeta një ambient të mirë, një federatë të shkëlqyer, por edhe lojtarë të fortë. Vendosa me stafin të jetoj në Tiranë për të nisur menjëherë një punë të rëndësishme, me energji dhe organizim. Tani për tani po bëjmë mirë, por kanë mbetur edhe tri ndeshje të vështira për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2024”.
Duke marrë parasysh Asllanin, Ismailin, Hysajn, Bajramin; duhet të shikoni domosdoshmërisht drejt Serie A?
Çdo 15 ditë dërgojmë dikë nga stafi ynë në Itali, është e vërtetë. Kemi futbollistë të fortë në Itali, pastaj… ushqimi i mirë, kafeja e mirë (qesh). Së fundi ka mbërritur në Serie A edhe Ramadani, ka 18-vjeçarë të tjerë të mirë. Për një lojtar është bukur të luajë në një klub të madh, sepse përmirësohet. Nuk di si ta këshilloj një lojtar nëse duhet të shkojë të luajë në një vend apo në një tjetër, ka staf, agjentë për këtë. Besoj se gjëja perfekte për një lojtar është të shkojë në një klub të rëndësishëm dhe të jetë në gjendje të luajë.
Në Serie A, si e shihni derbin e sotëm të “San Siros”, por edhe Interin, ku ishe bashkëpunëtor i Mancinit deri në vitin 2016?
Zikaltrit patën një situatë të komplikuar në fillim të sezonit të kaluar, por më pas Inzaghi dhe stafi i tij bënë shumë mirë, duke arritur në finalen e Champions League. Treguan dinjitet ndaj Manchester City, një finale shumë e ngushtë dhe e vështirë. Interi është i fortë, mbrohet mirë, rifillon shpejt aksionet, është ndërtuar mirë.
Çfarë momenti po përjeton kombëtarja italiane me kalimin nga Mancini te Spalletti?
Të jem i sinqertë, e kam parë pak. Që kur kam ardhur këtu në janar, jam fokusuar vetëm te Shqipëria. Presidenti i federatës flet italisht. Kam 50-60 lojtarë të mirë shqiptarë për të ndjekur nëpër botë. Mancini ishte i mrekullueshëm në fitimin e Kampionatit Evropian, zgjedhja e tij për t’u larguar ishte personale dhe është e vështirë të vlerësohet si vendim.
Sa punë ka për të bërë Sylvinho?
Shumë. Më ndihmon edhe Federata Shqiptare, e cila kujdeset për fëmijët nën 17 dhe 18 vjeç nëpër Evropë, si në Itali, Gjermani, Zvicër. Të gjithë janë gati për një të ardhme me ne për U-19 dhe U-21. Për momentin nuk po mendoj për Kampionatin Evropian 2024. Ndeshjen e fundit e fituam ndaj Polonisë dhe i thashë presidentit se na kanë mbetur edhe tri finale, grupi është i vështirë. Republika Çeke nuk ka humbur ende, për shembull, çdo gjë mund të ndodhë gjithmonë. Objektivi është të kualifikohemi, të mbërrijmë në nëntor në një pozicion për t’ia dalë mbanë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd