Transmetuar më 07-09-2023, 10:38

Policia e Shteti ka organizuar ditën e sotme një megaoperacion anti-drogë në Shkodër, ku janë asgjësuar mbi 12 mijë bimë narkotike lëndë narkotike.

Sipas uniformave blu, në ndihmë të operacionit kanë qenë dhe forcat RENEA dhe ato të FNSH, për shkak të rrezikshmërisë që kjo ndërhyrje paraqiste për jetën e efektivëve.

Lëndët narkotike janë zbuluar në fshatrat Palaj, Mnelë, Shllak, Temal, Vilzë, Prekal, Ura e Shtrenjtë, Kir dhe Ana e Malit, ndërkohë nuk raportohet për persona të arrestuar apo të shpallur në kërkim.

Policia e Shkodrës njofton se një operacion nga ajri dhe nga toka, për asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara po zhvillohet në zona të thella malore të qarkut Shkodër.

Finalizohet në kushte të vështira terreni dhe në shkallë të lartë rrezikshmërie për jetën e punonjësve të Policisë, megaoperacioni policor i koduar “Fly”.

Asgjësohen në total, nëpërmjet djegies, 12 831 bimë narkotike cannabis sativa.

Megaoperacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Repartin Special “RENEA” dhe me FNSH-të Tiranë dhe Fier.

Në këtë megaoperacion, nga ajri u angazhuan 50 efektivë të repartit “RENEA” dhe nga toka, 500 efektivë të DVP Shkodër, të komisariateve në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier.

Efektivët e repartit “RENEA” janë transportuar me helikopter, pasi bimët e kultivuara ishin në një terren shumë të thellë malor dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë.

-Gjatë megaoperacionit, nga ajri, morën pjesë efektivët e repartit “RENEA”dhe grupe hetimore. Efektivët e RENEA-s, me anë të helikopterit, mundën të mbërrinin në vende të ndryshme, në territorin e fshatit Palaj, njësia administrative Shosh, ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa. Nga këto zona, Policia asgjësoi nëpërmjet djegies, 2220 bimë narkotike cannabis sativa.

-Në vijim, gjatë këtij megaoperacioni, nga toka, shërbimet e DVP Shkodër, të komisariateve të Policisë në varësi të saj dhe të FNSH-ve Tiranë dhe Fier, nga terrene të vështira malore në Mnelë, Shllak, Temal, Vilzë, Prekal, Ura e Shtrenjtë, Kir dhe Ana e Malit, asgjësuan 10 611 bimë narkotike cannabis sativa.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, të asgjësuara gjatë megaperacionit “Fly”.